Aksidentet, përgjaket aksi Bulqizë –Burrel, pesë të plagosur
Bulqizë – Pas aksidentit të rëndë që ndodhi mëngjesin e dy ditëve më parë në Maminas të Durrësit kur pesë persona humbën jetën, një tjetër aksident u regjistrua në aksin rrugor Bulqizë-Burrel. Aksidenti ndodhi mesditën e djeshme kur dy automjete një prej të cilëve me targa angleze, janë përplasur me njëri-tjetrin. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe transportoi në spital personat që ndodheshin në automjete, ndërsa nisi hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Mësohet se të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Bulqizës. Ndërkohë që sipas policisë, paraprakisht dyshohet që shkak i aksidentit të ketë qenë shpejtësia e madhe dhe parakalimi i gabuar i dy makinave. Burime nga radhët e Policisë së Shtetit bënë të ditur se kanë marrë të gjitha masat për të ulur numrin aksidenteve rrugore, ndërsa u bëjnë thirrje emigrantëve të bëjnë kujdes gjatë qarkullimit me mjetet e tyre.
Seman, përmbyset varka, mbytet 20-vjeçari Allanjaku
Fier – Që prej dy ditëve policia ka nisur kërkimet në plazhin e Semanit ku dyshohet se është mbytur një 20-vjeçar. Ernest Allanjaku 20 vjeç. Burime nga vendngjarja thanë se ai së bashku me tre shokë të tij kishte hyrë pasditen e së dielës me varkë në det. Sipas dëshmitarëve dallgët e detit kanë përmbytur varkën duke bërë që tre prej të rinjve të dalin në breg me not ndërsa njëri prej tyre pikërisht 20-vjeçari Allanjaku të mos duket më. Por pavarësisht deklarimeve të dëshmitarëve, të cilët kanë parë katër persona në varkë dhe që tre prej tyre arritën të dilnin gjallë në breg, policia ka mësuar nga shokët e 20-vjeçarit se ai ishte vetëm dhe jo i shoqëruar prej tyre. Ndërkohë që familjarë të Allanjakut dhe policia janë vënë në kërkim për të gjetur të riun, por kërkimet kanë qenë të vështira për shkak të dallgëve. Kërkimet kanë nisur sërish dje por pa mundur të gjejnë ende trupin e të riut.
28 Korrik 2009