Asnjë patrullë policie në aksit që u përgjaken nga aksidentet
Albert Gjoka
Tiranë - Gjatë gjithë mesditës së djeshme nuk të shihte syri asnjë punonjës qarkullimi në aksin që përgjatë 24 orëve të fundit mori 7 jetë njerëzish dhe disa të tjerë u plagosën. Gjatë udhëtimit tonë në orën 11.30 drejt qytetit bregdetar dhe anasjelltas, nuk shihje asnjë shenjë reaguese për ngjarjet e përgjakshme që kishin ndodhur. Rikonstruksioni i autostradës që lidh kryeqytetin me bregdetin ka bërë që mjetet të rrisin ndjeshëm shpejtësinë, ndërkaq, nuk ka tabela sinjalizuese që t’iu japin shenja drejtuesve të mjeteve për të pasur kujdes. Kësaj i shtohen edhe prania e madhe e mjeteve të emigrantëve, të cilët janë gjithmonë në qendër të aksidenteve. Ndonëse ka shumëfishim të qarkullimit në Durrës, paçka se ka rritje të aksidenteve, apo edhe takime mes drejtuesve të lartë të strukturave të rendit në Durrës, kjo nuk reflektohej me prani të shtuar të patrullave policore në aksin rrugor që mori 7 jetë njerëzish brenda pak orësh. Një gjë e tillë konstatohet përkundër faktit që kanë shkuar në Durrës forca policie shtesë nga kryeqyteti.
Situata
Ndonëse drejtuesit e Policisë së Qarkut të Durrësit dje kanë zhvilluar disa takime në kuadrin e masave për të garantuar rend e siguri gjatë sezonit, kjo nuk është reflektuar në praninë e policëve të qarkullimit në rrugë. Dje në mesditë nuk të zinte syri asnjë efekt blu përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Asnjë patrullë apo matës shpejtësie. Një situatë e tillë nuk ndodhte as në kohën kur nuk regjistroheshin viktima. Ndërkaq, gjatë 36 orëve të fundit kishin ndodhur dy aksidente, të cilat morën jetën e 7 personave dhe u plagosën më shumë se 10 të tjerë. Më i fundit ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku një fuoristradë doli nga rruga duke shkaktuar vdekjen e 2 udhëtarëve. Drejtuesit e Policisë së Qarkut të Durrësit zhvilluan dje disa takime, ndërkaq, edhe prokurori i rrethit bregdetar zhvilloi një takim për të marrë masa në këtë periudhë, kur ka shtim të popullsisë në zonën bregdetare për shkak të sezonit turistik. Njëra ndër çështjet e diskutuara në këtë takim ka qenë edhe shtimi i aksidenteve në rrugë dhe masat për parandalimin e tyre.
Reagimi
Shtimi i numrit të aksidenteve ditët e fundit në rrugët e qarkut të Durrësit lidhet me rritjen e numrit të automjeteve me turistë që frekuentojnë plazhin më të madh të vendit në këto ditë të nxehta vere. Drejtori i policisë së qarkut, Ilia Nasi tha se "këto ditë në Durrës dhe në rrethinat e tij qarkullojnë 10 herë më shumë automjete se sa në ditë normale. "29 aksidente janë shënuar nga 1-27 korrik", tha kreu i Policisë së Qarkut, duke shtuar se "këto aksidente rrugore kanë shkaktuar 14 viktima dhe 20 të plagosur rëndë". Sipas zotit Nasi janë marrë masa; vetëm gjatë muajit korrik janë bllokuar 115 automjete, pezulluar 67 patenta dhe janë marrë 4285 masa administrative. Ai kërkoi nga drejtuesit e automjeteve më shumë përgjegjësi gjatë qarkullimit në rrugë, ndërsa vërejti se shpesh herë shkak për aksidente rrugore bëhen edhe lëvizjet e pakontrolluara të kalimtarëve në rrugët me dendësi të madhe të lëvizjes. “Mosvendosja e rripit të sigurisë, apo kaskës, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, mosrespektimi i sinjalistikës rrugore dhe përdorimi i pijeve alkoolike bëhet shkak për humbjen e jetës apo lëndimit si pasojë e aksidenteve", - tha Nasi, ndërsa theksoi se “masat e policisë në rrugë do të shtohen për të siguruar qarkullimin normal të automjeteve dhe kalimtarëve, por mbi të gjitha për siguruar jetën e njerëzve”.
28 Korrik 2009