Beqja: “Paaftësia e qeverisë e ka rritur borxhin publik deri në 7.3 miliardë dollarë”
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin e saj për rritjen e borxhit publik në shifra marramendëse. Deputeti socialist Ilir Beqja deklaroi dje se aktualisht niveli i borxhit ka kapur shifra të paimagjinueshme, plot 7,3 miliardë dollarë. Sipas tij, çdo shqiptar ka sot një borxh prej 2300 dollarësh. Ai paralajmëroi se në qeverisjen e kryeministrit Sali Berisha borxhi publik do të rritet me 480 milionë dollarë të tjerë.
Shkaqet
Deputeti Beqja argumentoi se rritja së tepërmi e borxhit ka ardhura nga paaftësia e qeverisë. Sipas tij, duke qenë e paaftë për të siguruar para për investime, siç i siguron çdo qeveri në botë, qeveria shqiptare është detyruar të marrë kredi me interesa tregtare, të cilat janë shumë të shtrenjta dhe ndikojnë në rritjen e borxhit publik.
Beqja tha se rritja e borxhit publik ka ardhur edhe nga papërgjegjshmëria e qeverisë. Deputeti socialist sqaron se qeveria shqiptare ndërmerr investime pa bërë asnjë studim të saktë, qoftë për rëndësinë e investimit apo fizibilitetin e tij, qoftë për të vlerësuar mundësinë dhe afatet e shlyerjes së kredive të marra për këtë investim. Gjithashtu, sipas deputetit Beqja, borxhi është rritur edhe nga korrupsioni i qeverisë. “Taksa e ryshfetit është bërë pjesë e çdo kontrate qeveritare dhe e çdo shpenzimi qeveritar, pa të cilin asnjë sipërmarrës shqiptar ose i huaj nuk mund të zgjidhë punë në Shqipëri”, - u shpreh Beqja.
Situata
Partia Socialiste shpreh shqetësimin se papërgjegjshmëria me të cilin qeveris Berisha do të bëjë që borxhi vetëm në vitin 2010 të rritet me 480 milionë dollarë të tjerë, duke e çuar ekonominë shqiptare drejt një rruge të pasigurt dhe të rrezikshme. Beqja u ndal edhe te shifrat që tregojnë rritjen e papunësisë, për të cilën qeveria nuk pranon realitetin. “Para dy javësh, në Këshillin Kombëtar të Punës, sipërmarrësit e fasonëve raportuan se kanë humbur 11 mijë vende pune, ndërsa me shifrat që thotë kryeministri, po të bësh një krahasim me shifrat zyrtare krahasuar me dy vjet më parë, eksporti i veshmbathjeve e këpucëve është rritur me 8%. Ky është vetëm efekti i nënçmimit të lekut; nëse krahasojmë eksportet e këtij viti me dy vjet më parë, vlera në euro nuk ka lëvizur. Pra, derisa edhe ky sektor shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit për punësimin është në vendnumëro, do të thotë që ekonomia vazhdon të jetë në ngërç”, - u shpreh Beqja.
Shqipëria thellon bashkëpunimin me Greqinë, Meta takon Droutsas
Numri dy i qeverisë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me ministrin e Jashtëm plotësues të Greqisë, Dimitris P. Droutsas. Dy zyrtarët e lartë diskutuan gjatë takimit mbi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, mbi ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit tonë, si dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon. Meta dhe Drutsas u ndalën në veçanti në situatën politike në rajon, pas opinionit këshillimor të GJND-së për Kosovën. Nga ana e tij, Droutsas e informoi ministrin Meta lidhur me vizitën e ditëve të fundit në Prishtinë dhe Beograd, duke theksuar angazhimin e Greqisë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në vijim ai siguroi për vullnetin politik të Greqisë në drejtim të zbatimit të nismës greke për integrimin e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian brenda vitit 2014. Ministri Droutsas përsëriti, në këtë kontekst, premtimin për mbështetjen e palës greke në finalizimin së shpejti të procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shefi i Diplomacisë shqiptare, duke i vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet shqiptaro-greke, shprehu bindjen për forcimin dhe intensifikimin e tyre të mëtejshëm në të ardhmen. Në vijim ai evidentoi mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë fqinje në drejtim të konsolidimit të perspektivës europiane të Shqipërisë, që bazohet në vizionin inkurajues të kryeministrit Papandreu për europianizimin e plotë të rajonit, në kuadër të Axhendës 2014. Meta vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen gjithashtu mbi ura të forta lidhëse dhe miqësie, siç janë komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri, që i shërbejnë thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe miqësisë mes dy popujve e vendeve tona. Meta falënderoi autoritetet greke për plotësimin e kuadrit ligjor në dobi të integrimit të plotë të komunitetit të shtetasve tanë që jetojnë e punojnë në vendin fqinj, duke iu referuar veçanërisht dhënies së shtetësisë brezit të dytë, të lindur dhe arsimuar në Greqi, si dhe të drejtës së tyre për të votuar e për t’u votuar në zgjedhjet e pushtetit vendor.
“Ishte kënaqësi që takova një mik shumë të mirë, Dimitri Droutsas, ministrin plotësues të Jashtëm të Greqisë. Greqia e ka mbështetur dhe e mbështet Shqipërinë të arrijë qëllimin e saj për integrimin europian. Ne së shpejti presim liberalizimin e vizave, si dhe në të ardhmen e afërme, statusin e kandidatit. Gjithashtu ne diskutuam për progresin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona. Dhe marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera në të gjitha fushat. Dua të theksoj se ne vlerësojmë shumë mbështetjen greke dhe vlerësojmë shumë kontributin e Papandreut në europianizimin e rajonit”, - u shpreh Meta. Ndërsa ministri grek Droutsas u shpreh: “Jam i lumtur t’i uroj mirëseardhjen mikut tim Ilir Meta, ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Ne biseduam mbi marrëdhëniet dypalëshe në mes dy vendeve, por veçanërisht për zhvillimet më të fundit në Ballkan. Edhe njëherë dua të theksoj rëndësinë që ne i japim afrimit të perspektivës europiane të të gjithë rajonit dhe natyrisht edhe të Shqipërisë. Siç e dini Greqia është një mbështetëse e fuqishme e kësaj perspektive. Në lidhje me këtë edhe njëherë dua të përmend Axhendën tonë 2014”.
Numri dy i qeverisë, Ilir Meta, nis një tur vizitash zyrtare
Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, do të zhvillojë një tur vizitash zyrtare në Qipro, Siri dhe Liban. Meta u nis dje për një vizitë zyrtare në Qipro, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Qipros, Marcos Kyprianou. Krahas bisedimeve zyrtare me ministrin qipriot të Punëve të Jashtme, Meta do të pritet në takime të veçanta nga Presidenti i Republikës së Qipros, Demetris Christofias dhe nga kryetari i Parlamentit, Marios Garoyian. Në qendër të bisedimeve me personalitetet politike qipriote, pritet të trajtohen çështje që lidhen me thellimin e zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, ecuria e integrimit europian të Shqipërisë, si dhe çështje të bashkëpunimit rajonal. Gjatë kësaj vizite do të nënshkruhet “Marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve”. Gjithashtu, në datat 7-10 gusht, ministri Meta do të zhvillojë vizita zyrtare në Republikën Arabe të Sirisë dhe Republikën e Libanit. Gjatë këtyre dy vizitave pritet që Meta të zhvillojë takime me zyrtarët më lartë të të dyja vendeve ku do të diskutohet në lidhje me çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, si dhe për zhvillimet në rajonet respektive.
Shqipëria bashkëpunon me Kosovën për procesin e regjistrimit të popullsisë
Shqipëria dhe Kosova po shkëmbejnë eksperienca në procesin e regjistrimit të popullsisë. Në kuadrin e realizimit të projektit për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave (REPOBA), Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, priti dje në një takim pune Delegacionin e Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës të kryesuar nga zëvendësministri i kësaj ministrie, Naim Fetahu. Regjistrimi në Kosovë do të kryhet gjatë muajit prill 2010, në të njëjtën kohë me Shqipërinë. Bashkëpunimi mes dy qeverive do të konsistojë në shkëmbimin e informacione të përgjithshme dhe të hollësishme mbi procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave brenda territorit të Republikës së Shqipërisë; mundësinë e ofrimit të një asistence dhe eksperience nga pala shqiptare gjatë të njëjtit proces që do të zhvillohet dhe në Kosovë; diskutimin lidhur me problematikën dhe pyetësorin që do të përdoret gjatë këtij regjistrimi në Shqipëri mbi formën e “vetëdeklarimit nga të anketuarit” etj; nxitjen e bashkëpunimit midis dy ministrive përgjegjëse për e-Qeverisjen, nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi në fushën e TIK, si dhe përfshirjen në këtë memorandum të bashkëpunimit në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Gjatë këtij takimi u bë një prezantim nga ministri Pollo mbi procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, si dhe mbi mënyrën e krijimit dhe të funksionimit të Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave të kryesuar nga ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo. Komisioni Qendror i Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave është ngritur me vendim të Këshillit të Ministrave, i cili drejtohet nga ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit dhe në përbërje të tij janë ministri të linjës të përfshira në këtë proces kaq të rëndësishëm si dhe institucione të tjera qendrore dhe INSTAT si organi kryesor ekzekutiv/sekretariat teknik.
5 Gusht 2010