E Diel, 1 Nëntor 2026

Turizmi, në dy muaj në Shqipëri janë regjistruar më shumë të huaj



Statistikat e hyrje-daljeve për dy muajt e parë të verës, qershor dhe korrik, të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, kanë pësuar ndryshime, të cilat prej vitesh nuk ishin hasur. Numri i shtetasve shqiptarë i krahasuar me një vit më parë është 12 mijë e 146 më pak. Numri i shqiptarëve që ktheheshin në vendin e tyre vinte në rritje çdo vit, ndërsa në 2010-n, për qershorin dhe korrikun, ka ardhur në rënie. Por ajo që bie në sy është numri i madh i të huajve që kanë zgjedhur Shqipërinë. Janë 154 987 shtetas të huaj më tepër në dy muaj, gjë që tregon rritjen më të lartë nga viti në vit që mund të jetë regjistruar ndonjëherë në vend. Duke përllogaritur edhe daljet e tyre, 133 855 persona dhe koha e shkurtër që kanë kaluar në vend, rezulton që këta të huaj, kryesisht kosovarë, kanë ardhur për pushime në Shqipëri. 21 mijë prej tyre vazhdojnë ende të jenë me pushime në vend. Në statistikat zyrtare të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, një tjetër shifër që ka pësuar ndryshime është ajo e daljeve nga Shqipëria të vetë shqiptarëve. Rreth 32 851 shqiptarë më pak kanë udhëtuar nga Shqipëria drejt vendeve perëndimore apo atyre fqinje. Pjesa më e madhe e këtyre shtetasve mendohet se nuk kanë preferuar më të udhëtojnë jashtë vendit për pushime, një shifër kjo që ka vënë në shqetësim edhe shoqëritë turistike në vend.

Shqipëria do të çelë dy dogana të reja, me Maqedoninë dhe me Malin e Zi

Shqipëria do të çelë së shpejti dy pikëkalime të reja kufitare, një në Dibër me Maqedoninë dhe një në Tropojë me Malin e Zi. Mes Shqipërisë dhe Maqedonisë tani e tutje do të funksionojë pika e re kufitare në zonën e Dibrës, e cila do të shërbejë si vendkalim për personat dhe mallrat mes dy vendeve tona fqinje. Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet e të dyja vendeve, të cilat bëjnë me dijeni se kjo pikë e re e kalimit kufitar ndodhet në fshatrat Xhepishtë-Trebishtë. Ndërkaq, bëhet me dijeni se funksionimi i saj si një pikë e re doganore mes të dyja vendeve do të realizohet gjatë muajit të ardhshëm. Ky do të jetë vendkalimi i dytë kufitar drejt Maqedonisë në zonën e rrethit të Dibrës, pas atij ekzistues të Bllatës. Një pikë tjetër kufitare do të lidhë vendin tonë me Malin e Zi përmes zonës së Tropojës. Në Podgoricë të Malit të Zi janë takuar delegacionet e Policisë Kufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Palët kanë rënë dakord për hapjen e vendkalimit të ri kufitar i Qafë të Vranicës do të lidhë Tropojën me Plavën e Malit të Zi.

Ekonomia amerikane regjistron shtim të vendeve të punës

Një raport i ri nga një firmë private arrin në përfundimin se ekonomia amerikane regjistron shtim të vendeve të punës në muajin korrik. Shërbimi “ADP” i punëdhënësve, firmë ku kalojnë miliona çeqe pagesash, tha dje se muajin e kaluar kompanitë private shtuan 42 mijë vende pune. Korriku është muaji i gjashtë me radhë që firma “ADP” njofton për shtimin e vendeve të punës në sektorin privat, megjithatë kjo firmë tha se ky shtim vendesh pune ka qenë i vogël, ndërkohë që tregu i vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara vazhdon të jetë delikat. Disa ekonomistë e konsiderojnë raportin mujor të firmës “ADP” si një tregues paraprak i raportit mujor të Departamentit amerikan të punës për papunësisë, që do të publikohet të premten. Shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara për muajin qershor ishte 9.5 për qind. Një raport tjetër, po dje, i kompanisë së punësimit, “Challenger, Gray and Christmas” arriti në përfundimin se numri i vendeve të punës në plan për t'u shkurtuar u ngrit për të tretin muaj me radhë, duke u ngritur 6 për qind nga qershori në korrik.

5 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›