Raportet, ekspertët e KE-së, kritika për korrupsionin dhe krimin e organizuar
Eljona Ballhysa
Ekspertët e misionit vëzhgues të Komisionit Europian që vizituan Shqipërinë një muaj më parë i kanë dërguar qeverisë shqiptare raportet e vlerësimit të situatës në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave. Mësohet se vëzhguesit e kanë vënë theksin në domosdoshmërinë e vazhdimit me zero tolerancë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pikërisht në këto dy fusha KE-ja kërkon nga qeveria shqiptare që të bëhet më shumë punë. Kjo ka qenë dhe kërkesa e kryeministrit Berisha drejtuar ministrave dhe administratës shtetërore gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Ndërsa i ka cilësuar objektive raportet e ekspertëve europianë, kreu i kabinetit qeveritar ka kërkuar marrjen e masave për shqyrtimin e raporteve dhe për përmbushjen e të gjitha detyrimeve për përfitimin e heqjes së regjimit të vizave. Berisha, madje, ka kërkuar që kjo punë të bëhet gjatë muajit gusht, pavarësisht se ky muaj cilësohet si muaj pushimesh.
Angazhimi
“Raportet janë shumë objektive. Ekspertët e dërguar nga Komisioni dhe që përfaqësonin vende të ndryshme, patën rastin t’i “preknin” gjërat në vend; e kam thënë edhe më parë se Komisioni përdor praktikën e Shën Thomait. Megjithatë, ne duhet të nxjerrim çdo problem të ngritur, pavarësisht nga arritjet. Kjo është jashtëzakonisht e dobishme, në mënyrë që të procedohet më tej me reformat. Le të marrim luftën kundër korrupsionit. Ajo është një luftë e pasosur, që nuk përfundon kurrë, por që shënon sukses. Në këtë aspekt, shqyrtimi dhe rishqyrtimi i përpjekjeve tona në këtë luftë është domosdoshmëri për të konsoliduar atë që është arritur dhe për të kapur nivel tjetër”, - është shprehur kreu i qeverisë. Në këtë drejtim ai vuri theksin në vazhdimin pa kompromis të luftës kundër krimit të organizuar. “Po ashtu, lufta kundër krimit të organizuar është një luftë që nuk ndërpritet kurrë. Suksesi i saj varet sa je në gjendje të konsolidosh atë që ke arritur dhe me vendosmëri të përcaktosh objektiva të tjera. Ju ftoj që gjatë muajit gusht të studiohen raportet dhe në fund të muajit, sipas afatit të përcaktuar, t’u ktheni përgjigje. Ato kërkojnë një shqyrtim kompleks. E theksoj, dy çështje janë themelore dhe nuk përfundojnë kurrë: lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar. Në këtë drejtim, mekanizmat tanë, makineria jonë duhet të shohin se si të përmirësohet e përsoset më tej. Duke racionuar kohën, ekipet, stafet, të kombinuar edhe me pushimin, të keni si çështje të parë shqyrtimin e raporteve të ardhura nga ekspertët, përgjigjet e tyre dhe një plan pune për problemet, të cilat janë afatgjata, është e domosdoshme”, - ka kërkuar kreu i qeverisë. Më tej kryeministri kërkoi që ky proces, që konsiston në një tërësi reformash shumë të dobishme për vendin, të njohë konsolidim të mëtejshëm dhe nivele të reja. “Do të kërkoja që ky proces, që konsistoi në një tërësi reformash shumë të dobishme për vendin, të njohë konsolidim të mëtejshëm dhe nivele të reja. Heqja e vizave ka përbërë dhe përbën një nga objektivat më madhorë të programit të kësaj qeverie. Kjo përbën, pa dyshim, një nga arritjet më të mëdha historike të shqiptarëve dhe të kombeve që përfitojnë nga këto vendime. Ky është një ridimensionim i jashtëzakonshëm i lirisë së lëvizjes, por, aq më tepër kur, për shkak të barbarive të regjimit që shkoi, ne u detyruam të braktisim vendin, si edhe disa shekuj më parë. Ne kemi një numër më të madh emigrantësh se çdo vend tjetër dhe janë jo të pakta gëzimet apo hidhërimet që familjet, për shkak të regjimit të vizave, nuk i ndajnë së bashku. Ky është një nga aspektet dhe, natyrisht, është më njerëzori. Nuk ka aspekt tjetër më njerëzor se sa bashkimi i familjes në gëzime apo hidhërime. Solidariteti familjar është themeli i mirësisë”, - është shprehur gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha.
Berisha: “Opozita është hipokrite, eksportet shqiptare janë rritur me 65%”
Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e qeverisë, Berisha e ka cilësuar opozitën hipokrite, duke iu referuar deklaratave të saj për krizë ekonomike. Ai ka bërë të ditur se rritja ekonomike në vend është jashtë çdo parashikimi. Sipas tij, asnjë vend tjetër nuk ka regjistruar një rritje të tillë eksportesh në këto 7 muaj. Kryeministri Berisha, duke u ndalur në zhvillimet e ekonomisë shqiptare, tha se muaji korrik shënoi rritje me 65 për qind të eksporteve të mallrave të prodhuara në Shqipëri. “Dua t’ju bëj gjithashtu me dije se në rrafshin ekonomik, muaji korrik është një muaj me lajme qartësisht pozitive. Dua t’i informoj qytetarët se treguesi më i ndjeshëm, më i fortë dhe solid i prodhimit janë eksportet. Për muajin korrik, eksportet ‘Made in Albania’ kanë një rritje prej 65 përqindësh dhe në këtë rritje nuk ka asnjë qindarkë të ardhur nga shiu, pra nga energjia, por e tëra është rezultat i mundit, punës dhe djersës. Ju i keni parë lotët e krokodilit që u derdhën për fasonët. I ftoj ata që bëjnë hipokrizi, t’i marrin statistikat dhe të shohin se në 7 muaj ka një rritje prej 29 përqindësh dhe të mos harrojmë se në tërësi janë që të gjitha prodhime të imta, këpucë, tekstile, janë edhe minerale, por jo më shumë se në masën 17 për qind e eksporteve shqiptare. Ndërsa rieksportet janë industri tekstile, veshje, këpucë etj. Kjo do të thotë se ka një rritje të ndjeshme të punësimit”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Administratorët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara zgjidhen nga gjykata
Qeveria ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme disa ndryshime në ligjin për organizimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Në bazë të ndryshimeve të miratuara, administratorët e kësaj agjencie do të zgjidhen me vendim gjykate, ndërsa paga e tyre mujore do të përcaktohet rast pas rasti nga ministri i Financave. Ndryshimet parashikojnë që “administratorët e pasurive të sekuestruara të zgjidhen nga gjykata, sipas listës së paraqitur nga kryeadministratori. Administratorët e pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara, në zbatim të Ligjit Nr.9258, datë 15.7.2004, ‘Për masat kundër financimit të terrorizmit’, si dhe të pasurive të tjera, administrimi i të cilave i caktohet kësaj agjencie me ligj apo me një akt tjetër nënligjor, përzgjidhen nga kryeadministratori, nga e njëjta listë e paraqitur në gjykatë”, - shkruhet në ligj. Më tej parashikohet mënyra e pagesës së tyre. Sipas ligjit, “pagesa e administratorit të pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara miratohet, rast pas rasti, nga ministri i Financave, pas propozimit të kryeadministratorit. Pagesa e personave të tjerë, të punësuar në Agjenci, përcaktohet nga ministri i Financave, në përputhje me organikën dhe strukturën e miratuar nga kryeministri”, - shkruhet në ligj.
Tatimpaguesit do të përfaqësohen në Këshillin Tatimor
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme përbërjen dhe mënyrën e organizimit të Këshillit Tatimor. Ky këshill që do të diskutojë për çështje të ndryshme që lidhen me vendime të qeverisë që prekin interesat e tatimpaguesve, do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Financave si dhe nga përfaqësues të tatimpaguesve. Në bazë të vendimit, Këshilli Tatimor përbëhet nga 18 anëtarë, prej të cilëve 12 janë përfaqësues të tatimpaguesve dhe 6 janë përfaqësues të institucioneve publike. Përfaqësuesit e tatimpaguesve përbëhen nga përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe industrisë, të shoqatave të tjera të biznesit, të shoqatave profesionale të ekspertëve kontabël, të shoqatave të tjera të organizuara mbi bazë profesioni, të rregulluara me ligj të veçantë, si dhe të organizatave të tjera jofitimprurëse që përfaqësojnë grupe të mëdha tatimpaguesish. Përfaqësuesit e institucioneve publike përbëhen nga përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë e Përgjithshme të Tatimeve. Për caktimin e anëtarëve, përfaqësues të tatimpaguesve, në Këshillin Tatimor, Ministria e Financave boton në median e shkruar, njoftimin për thirrjen e shprehjes së interesit për pjesëmarrje në Këshillin Tatimor, formën e aplikimit, si dhe kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve përfaqësues të tatimpaguesve në këtë këshill. Afati maksimal i pranimit të dokumentacionit është ditë nga data e fundit e botimit. Këshilli Tatimor kryesohet nga dy bashkëkryetarë, përkatësisht zëvendësministri i Financave, që mbulon çështjet e tatimeve, dhe një anëtar, përfaqësues i tatimpaguesve në këtë këshill. Këshilli Tatimor mblidhet të paktën 3 herë në vit dhe diskuton çështje të ndryshme dhe çdo fund viti paraqet në Ministrinë e Financave një raport vjetor.
5 Gusht 2010