Aksidentet, plagosen dy këmbësorë në kryeqytet
TIRANË - Dy aksidente me pasojë plagosjen e dy këmbësorëve janë shënuar sot paradite ne kryeqytet. Aksidenti i parë ka ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, ku si pasojë e përplasjes së tre automjeteve është plagosur oficeri i Gardës, 44-vjeçari Myrteza Kadriu. Gardisti është plagosur nga një automjet me targa Vlore, që pasi e ka përplasur është larguar menjëherë nga vendngjarja. Një tjetër aksident ka ndodhur pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”. Edhe në këtë rast viktima ka qenë një këmbësor, por shtetas i huaj. 70-vjetari Alfred Kundelam, me nënshtetësi holandeze, jurist pranë Ministrisë së Ekonomisë, u aksidentua pas përplasjes së dy mjeteve. Burimet e policisë shprehen se dy të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Në të dyja rastet policia po heton shkaqet e vërteta të aksidenteve. Sipas policisë, në zonat e banuara, drejtuesit e automjeteve nuk e respektojnë këmbësorin, gjë që behet shpesh shkak për aksidente. Por jo të rralla kanë qenë dhe rastet kur këmbësorët nuk kanë respektuar vijat e bardha dhe si pasojë kanë mbetur viktimë e automjeteve.
Hyn me dhunë në shtëpinë e ish-gruas, policia e dërgon në qeli
Tiranë – Bashkëshorti e ka kuptuar gabimin që kishte bërë kur mbi gruan kishte ushtruar dhunë, por nuk është falur nga ish-bashkëshortja. Dorian Spahiu, 48 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për “dhunim banese”, ka shkuar të takojë ish-gruan, por kjo e fundit nuk e ka lejuar të hynte në shtëpi. Edhe pas refuzimit të takimit nga ish-gruaja 48 – vjeçari këmbënguli të futej në banesë, pa e menduar se do të përfundonte në prangat e policisë, pasi ish-gruaja është marrë në mbrojtje të menjëhershme me një vendim të Gjykatës në muajin korrik.
Burime zyrtare thanë për gazetën se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë vunë në pranga në flagrancë Dorian Spahiun, sepse ndaj tij është deponuar një kallëzim penal, i cili tregon se i sipërcituari ka tentuar të hyjë në banesë për të takuar ish - bashkëshorten e tij, për të cilën është lëshuar urdhri i Mbrojtjes së Menjëhershme më datë 04 korrik 2008, duke shkelur kështu vendimin e Gjykatës. Kaq ka mjaftuar që uniformat blu ta merrnin me vete me pranga për në ambientet e ndalimit. Po ashtu në ngarkim të shtetasit të sipër cituar është deponuar një tjetër kallëzim penal nga babai i tij 65 - vjeçar, i cili ka deklaruar se djali i tij, e ka goditur me shkelma e grushte në banesën e tyre. U kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që materialet e përpiluara në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, si dhe të “plagosjes së lehtë me dashje”.
26 Shtator 2008