Nju Jork, Tadiç: “S’kemi siguruar ende të gjitha votat”
Pas tre ditësh në sesionin e 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti serb Boris Tadiç është shprehur se Serbia ende nuk e ka siguruar numrin e mjaftueshëm të votave por shpresonte se deri në fund të sesionit do tia dalë mbanë. “Ekzistojnë shtete që dëshirojnë të votojnë për rezolutën tonë dhe ato që do të donin të votonin por nuk munden dhe sigurisht se do të abstenojnë. Ekzistojnë dhe shtetet që do të votojnë kundër,”- tha Tadiç për mediat. Tadiç më tej është shprehur se duhet vazhduar të punohet për të bindur kryesuesit e delegacioneve, dhe se nuk duhet krijuar përshtypja se tashmë është arritur qëllimi. Nga ana tjetër, presidenti serb ka paralajmëruar Maqedoninë dhe Malin e Zi të mos e njohin Kosovën pasi ky veprim do të stabilizonte rajonin. Në një intervistë, Tadiç tha se Serbia nuk do të tregonte aspak mirëkuptim për Maqedoninë dhe Malin e Zi, nëse këto vende do t’u bashkoheshin 47 shteteve që e kanë njohur tashmë Kosovën. Ai nuk ka nguruar t’i kërkojë ndihmë ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov që Rusia të përdorë autoritetin e saj te shtetet e ndryshme, që të përkrahin nismën serbe ne OKB. Pas takimit të zhvilluar me Lavrovin në Nju Jork, Tadiç ka thënë se, mes Beogradit dhe Moskës ekziston pajtim i plotë sa i përket çështjes së Kosovës.
Ai po ashtu ka thënë se Rusia do ta mbështesë nismën e Serbisë dhe ka shprehur bindjen e tij se Moska do të përdorë ndikimin e saj edhe te një numër i caktuar i shteteve në botë, të veprojnë njësoj.
Mlladic qarkullon me pasaporte serbe
I shumëkërkuari i Gjykatës së Hagës për krime lufte ndaj njerëzimit Ratko Mlladiç qarkullon i fshehur me një pasaportë serbe. Këtë e beri të ditur një zyrtar qeveritar i cili tha se i akuzuari për gjenocid Ratko Mlladiç është pajisur me pasaportë të Serbisë në vitin 1999, të cilën e përdor ende. Ministri Rasim Lajiç ka thënë se Mlladiçit i është dhënë letërnjoftimi nga zyrtarë të lartë të policisë. Ai tha se zyrtarët kur i lëshuan pasaportën nuk i kanë marrë Mlladiçit gjurmët e gishtërinjve e as nuk i kanë kërkuar, që të mbushë aplikacionin, siç është procedura e zakonshme. Lajiç nuk ka bërë publik identitetin e këtyre zyrtarëve. Por siç shton ai në atë kohë, Serbia është udhëhequr nga Slobodan Millosheviç. Mbi Mlladicin rëndojnë akuzat për gjenocid të ngritur nga Gjykata e Hagës për krime lufte. Serbia është nën presion ndërkombëtar për ta kapur Mlladicin dhe t’ia dorëzojë Tribunalit, por zyrtarët thonë se nuk e dinë vendndodhjen e tij.
26 Shtator 2008