E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj në Kosovë për krimin e organizuar midis dy vendeve



Tiranë - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u takua dje me kryeministrin i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë së Kosovë, Nekibe Kelmendi. Lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit dhe dukurive tjera kanë qenë disa nga çështjet që janë diskutuar midis tyre për arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes dy vendeve. Pas takimit, kryeministri kosovar u shpreh se “bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është duke u thelluar në të gjitha segmentet institucionale ndërsa reformat që kanë ndodhur në Shqipëri dhe përvojat e tyre do të barten edhe në Kosovë”. Ndërsa ministri Alibeaj tha se është i angazhuar në arritjen e marrëveshjes dypalëshe për bashkërendimin e aktiviteteve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Është e nevojshme arritja e një marrëveshjeje bilaterale, jo vetëm në hetimin e çështjeve të përbashkëta, por edhe në çështjet e transferimit të procedurave hetimore, të cilat janë detyrime formale për të konsideruar shtetin e Kosovës partner në ambientin evropian”, - deklaroi ministri Alibeaj për mediat vendase.

Sokol Koçiu heq dorë nga lirimi me kusht

Tiranë - Ish-oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Koçiu, heqi dorë nga lirimi me kusht. Burime nga Gjykata e Tiranës pohuan dje se në seancën e djeshme i pandehuri Koçiu ka kërkuar të tërhiqet për kërkesën që kishte bërë muaj më parë në këtë gjykatë. Të njëjtat burime sqaruan se ai ka lënë për disa orë qelinë e Burgut të Vaqarit për të qenë vetë i pranishëm në seancën gjyqësore. Me gjithë prezencën e tij ai nuk preferuar të japë arsyet se përse tërhiqej në këtë moment kur mund të jepej dhe vendimi nga ana e gjykatës. Koçiu është një nga të pandehurit e dosjes "Kokaina", ka fituar njërën nga kërkesat e tij drejtuar Gjykatës së Tiranës për amnistinë e veprës se falsifikimit. Për rrjedhojë, Gjykata e Tiranës i ka reduktuar gjashtë muaj burg menjëherë pasi i ka amnistuar këtë vepër. Ai është dënuar me 12 vjet heqje lirie për akuzën e trafikut të narkotikeve dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Deri tani ai ka kryer pjesën më të madhe të dënimit dhe i kanë mbetur për të vuajtur afërsisht edhe tre vjet të tjerë.

26 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›