Llogaritë e hapura me Drejtësinë të Delijorgjit
Mihal Delijorgji, presidenti i firmës "ALBADEMIL”, u ndalua tri ditë më parë së bashku me dy persona të tjerë me akuzën e "shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive". Si administrator i kompanisë që merrej me demontimin e lëndëve eksplozive, ai u mor fillimisht në pyetje lidhur me shpërthimin e një fabrike me municion në fshatin Gërdec, 20 km larg Tiranës, më datë 15 mars. I lindur në fshatin Terihat të Gjirokastrës dhe banues në Tiranë, 42-vjeçari Delijorgji është babai i dy fëmijëve. Si banor i Dropullit të Poshtëm, pas viteve ‘90 Delijorgji emigroi në Greqi, ku qëndroi disa vite. Në vitin 1992 ai kthehet në Shqipëri dhe fillimisht vendoset në qytetin e Durrësit. Disa vite më pas, në Shkozet të Durrësit ai ndërton fabrikën e tij moderne, për prodhim të skarave, rrjetave metalike, llamarinave etj., ku ngriti edhe firmën e tij, "Përparimi". Përveç biznesit të tij për tregtinë e hekurit, Delijorgji investon edhe në fushën e futbollit, ku në vitin 2003-2004, ai investon për sport klub “Dinamon”. Në prill të vitit 2004 u arrestua gjatë kohës që ishte president i sport-klub “Dinamos” me urdhër të Prokurorisë së Durrësit për shmangie të detyrimeve doganore, evazion fiskal dhe falsifikim dokumentesh.
Në atë kohë, ai ishte president i firmës "Përparimi" dhe u akuzua se u është shmangur detyrimeve për importimin e hekurit, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 1.2 milionë dollarësh. Më pas lirohet, pas një garancie pasurore të konsiderueshme. Në vitin 2006, Mihal Delijorgji zotëron edhe firmën "ALBADEMIL" që kryente çmontimin e municioneve në fshatin Gërdec. Në periudhën 2006-2007, përveç bizneseve të tij, ai u rikthehet investimeve në fushën e futbollit, por këtë herë si president i sport klub “Luftëtarit” (Gjirokastër), rreth ky i origjinës së tij.
Prokuroria: Pasuritë që i janë sekuestruar Delijorgjit
Prokurorët dërguan dje në Gjykatën e Tiranës kërkesën për sekuestrimin e pasurisë të biznesmeni Mihal Delijorgji. Burime pranë kësaj gjykate pohuan për gazetën “Albania” se në kërkesë janë përfshirë të gjitha pasuritë që rezultojnë në emrin e biznesmenit. Të njëjtat burime shpjegojnë se prokurorët kanë kërkuar sekuestrimin e 900 mijë eurove llogari bankare, 18 mijë metrave katrorë truall, përfshi edhe ndërtimet mbi të në Shkozet në afërsi të Durrësit, 11 mijë metra katrorë sipërfaqe të tjera dhe pallate banimi në zonën e ish-uzinës “Enver” në Tiranë.
Fabrika
Firma “ALBADEMIL” çmontonte municionet në repartin e çmontimit në Gërdec që prej një viti. Deri tani ishin çmontuar vetëm fishekë të të gjithë kalibrave. Prej gjashtë muajsh fabrika bënte dhe çmontimin e predhave. Në fabrikë ishin të punësuar rreth 300 punëtorë, kryesisht banorë të Gërdecit, Vorës dhe rrethinave. Paga varionte sipas pozicionit dhe punës që punëtorët bënin brenda ditës. Kishte familje në Gërdec ku ishin punësuar të gjithë pjesëtarët e familjes. Dëshmitë e të plagosurve kanë treguar se ishin të punësuar në të zezë shumë fëmijë apo persona të tjerë.
Të arrestuarit
Mihal Pandeli Delijorgji, 42 vjeç, banues në Tiranë, administrator i kompanisë që merrej me demontimin e lëndëve eksplozive
Dritan Siri Minxolli, 30 vjeç, banues në Tiranë, drejtor Ekzekutiv i kësaj kompanie
Ylli Ramazan Pinari, 55 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtor i ndërmarrjes “MEICO” në Ministrinë e Mbrojtjes
26 Shtator 2008