E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: “Prokuroria të marrë në shqyrtim provat filmike dhe dëshmitë e punonjësve të Gërdecit”



Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që të marrë në shqyrtim provat filmike dhe dëshmitë e punonjësve të Gërdecit, të bëra publike në emisionin televiziv “Faktor plus” të gazetarit Mero Baze. Balla u shpreh se provat e bëra publike në këtë emision treguan qartë se tragjedia e Gërdecit ka lidhje me trafikun e armëve. “Dy ditë më parë opinioni publik shqiptar u njoh me prova dhe dëshmi të reja lidhur me tragjedinë e dhimbshme të Gërdecit dhe trafikun e armëve që shkaktoi këtë tragjedi. Askush në Shqipëri nuk ka dyshim, besoj që edhe Prokuroria, që krimi shtetëror i Gërdecit, ku humbën jetën 26 njerëz të thjeshtë, u shkatërruan disa qindra biznese dhe banesa, ka për autorë ata që kishin organizuar dhe kryenin trafikun ilegal të armëve. Ata të cilët bënin vendime, madje edhe ligje në dobi të këtij trafiku, ata që jepnin urdhra me shkrim dhe me telefon, ata që kishin vendosur njerëz të afërm dhe familjarë në pikat kyçe të këtij trafiku, që përdornin ushtarakët dhe makinën ushtarake”, - është shprehur Balla.
Ai gjithashtu theksoi se qeveria shqiptare ishte në dijeni të trafikut të armëve që kryhej me Afganistanin. “Me dijeni të plotë, qeveritarë shqiptarë i shisnin Departamentit Amerikan të Mbrojtjes fishekë dhe municione të tjera kineze me ambalazhime “Made in Albania”. Punëtorët e thjeshtë të Gërdecit zbardhën për publikun shqiptar, natën e errët të 19 nëntorit, të fshehjes të së vërtetës së trafikut, natë e cila mund edhe të kishte parandaluar tragjedinë e dhimbshme të Gërdecit në rast se në urdhër ministror nuk do të ishin fshehur të vërtetat që fshiheshin qoftë në Gërdec, qoftë në Rinas”, - është shprehur Balla. Sipas tij, faktet e bëra publike përgënjeshtruan deklaratat zyrtare se në fabrikën e demontimit nuk kishte njerëz me grada dhe me mburojë shtetërore. Përkundrazi, tha Balla, pamjet treguan që kishte njerëz me grada me radio nëpër duar, të cilët drejtonin këtë biznes. “U përgënjeshtrua deklarimi se kush ishte roja dhe kush ishte shefi, roja i shkretë që punonte për copën e bukës, kishte qenë shef. U përgënjeshtrua deklarimi i bërë nga numri një i kësaj qeverie, se në atë pseudo-fabrikë nuk shfrytëzoheshin fëmijë dhe gra. Pamjet e reja të dhëna ditën e hënë në darkë treguan se aty shfrytëzoheshin në mënyrë mizore gra dhe fëmijë”, - është shprehur Balla. Ai bëri thirrje që të gjitha këto fakte të merren nën administrim nga Prokuroria.

26 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›