E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangoset autori i plagosjes së 4 të afërmve të Ben Qimes

Policia gjen të fshehur në Lukovë të Sarandës Angjelos Sadon. Në pranga edhe katër persona që ndihmuan të shumëkërkuarin

FIER – Vetëm pak ditë ka mundur ta shijojë lirinë autori i atentatit të të afërmve të Arben Isufajt, i njohur ndryshe me emrin “Ben Qimja”. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se kanë prangosur shtetasin Angjelo Sado, i dyshuar si autor i plagosjes së katër shtetasve, Ahmet dhe Amarildo Isufi, babë e bir, përkatësisht 45 dhe 23 vjeç, si dhe Tomorr Jarua, 48 vjeç dhe dhëndrin e fisit Isufi, Gentian Mara, 30 vjeç. Sipas tyre, janë ndaluar edhe katër shtetas të tjerë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar 28-vjeçarin t’i fshihej policisë. Burimet policore pohojnë se të ndaluarit janë Skënder Selamaj, Emirjon Prishka, Lulëzim Toçi dhe Jani Gremo, që të gjithë nga qyteti i Vlorës. Pesë ditë më parë Sado u përplas me anëtarët e familjes së Arben Isufit, i cili merret me aktivitet ndërtimi, pas një konflikti që dyshohet se ka të bëjë me prishjen e pazareve mes palëve.
Arrestimi
Menjëherë pas atentatit të katërfishtë në lagjen “Sheq i Madh” të qytetit të Fierit, ku mbetën të plagosur disa nga anëtarët e familjes Isufi, autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje, Angjelo Sado, ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes. Sipas policisë, 28-vjeçari, pas kryerjes së krimit, u largua nga vendngjarja me veturën tip “Benz” TR 7529 P, të cilën e ka braktisur në hyrje të qytetit të Vlorës, për t’i shpëtuar një postblloku të policisë. Ai ka arritur që të zhduket gjatë kësaj periudhe, ndonëse policia e ka pasur nën vëzhgim të rreptë. 28-vjeçari nga Vlora është larguar në drejtim të Sarandës dhe ka qëndruar në Lukovë të Sarandës. Kontrollet e policisë dhe mbajtja në vëzhgim të aparateve celulare ka bërë të mundur që të identifikohet vendndodhja e tij. Mbrëmjen e së mërkurës forcat policore të Fierit, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, kanë rrethuar vendin ku fshihej Sado dhe kanë bërë prangosjen e tij. Burimet zyrtare të policisë shprehen se i shumëkërkuari është ndihmuar nga disa shtetas që të fshihet. Ata janë shtetasit Skënder Selamaj, 27 vjeç, Emirjon Prishka, 22 vjeç, Lulëzim Toçi, 24 vjeç dhe Jani Gremo, 32 vjeç, të gjithë nga qyteti i Vlorës. Të ndaluarit akuzohen për veprën penale "përkrahje të autorit të krimit".
Përplasja
Policia dhe Prokuroria e Fierit kanë identifikuar autorin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së dielës, në lagjen "Sheq i Madh" të këtij qyteti, ku mbetën të plagosur Ahmet dhe Amarildo Isufaj (babë e bir), dhëndri i tyre, Gentian Mara dhe 48-vjeçari Tomorr Harulla. Burime nga dikasteri i Rendit dhe nga organi i akuzës bëjnë të ditur se katër personat në fjalë u qëlluan me pistoletë nga Angjelos Sado nga Vlora. Mësohet se 28-vjeçari Sado është grindur me të afërmit e biznesmenit të ndërtimeve, në ambientet e lokalit në pronësi të këtyre të fundit. Sipas burimeve të mësipërme, në sherr e sipër vlonjati është qëlluar me pëllëmbë në fytyrë nga xhaxhai i Arben Isufajt, Ahmeti. I frikësuar se do e vrisnin, Angjelos Sado ka qëlluar fillimisht me armë në dyshemenë e lokalit, thjesht për t'i trembur katër personat që ndodheshin në një tavolinë me të. Ndërsa situata është tensionuar, 28-vjeçari ka qëlluar në drejtim të "shokëve" të tij, duke plagosur rëndë nipin e "Ben Qimes”, Amarildo, 23 vjeç. Në këtë ngjarje u plagosën (janë jashtë rrezikut) dhe Ahmet Isufaj, 45 vjeç si dhe dy të tjerët. Në momentin që i ka parë të shtrirë në tokë vlonjati ka ikur me shpejtësi në drejtim të Vlorës. Menjëherë policia ka shkuar në vendngjarje, ku janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 10 copë gëzhoja të kalibrit 9 mm dhe 3 predha po të kalibrit 9 mm. Vetëm pas 30 minutash, uniformat blu kanë gjetur në afërsi të vendit të quajtur Fabrika e Tullave Vlorë, mjetin tip “Benz” me targa TR 7529P. Katër personat e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën, megjithëse njëri prej tyre është plagosur rëndë. Angjelo Sado është dënuar edhe në Greqi për trafik lëndësh narkotike. Mendohet se edhe konflikti me pjesëtarët e familjes Isufi të jetë bërë për prishje pazaresh. I arrestuari akuzohet për veprën penale “të vrasjes së mbetur në tentativë të më shumë se një personi”.

TË ARRESTUARIT
Agjelos Sado, 28 vjeç, autori i atentatit
Skënder Selamaj, 27 vjeç, ndihmoi autorin
Emirjon Prishka, 22 vjeç, ndihmoi autorin
Lulëzim Toçi, 24 vjeç, ndihmoi autorin
Jani Gremo, 32 vjeç, ndihmoi autorin

TË PLAGOSURIT
Ahmet Isufi
Amarildo Isufi
Tomorr Jaruja
Gentian Mata

26 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›