Aksidentet, plagosen edhe dy persona të tjerë
Dy persona të tjerë janë plagosur nga aksidentet gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë, ndërkohë që policia ka dërguar për ndjekje penale autorët e tyre. Burimet zyrtare nga policia kryeqytetase bënë të ditur se nga seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Petrit Baba, 36 vjeç, banues në Tiranë. Sipas të dhënave hetimore, rreth orës 17.00 në Rrugën e Kavajës, pikërisht te Shkolla Teknologjike, duke drejtuar mjetin "Toyota", me targë TR 5769 S, Baba ka aksidentuar këmbësorin Latif Shaba, 79 vjeç, banues në Tiranë. Ai është dërguar menjëherë në spital dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, për ndjekje penale në gjendje të lirë është dërguar Aurela Hoxha, 33 vjeçe, banuese në Tiranë. Sipas policisë, ajo u dërgua për ndjekje penale, sepse në orën 22.45, në autostradë, duke drejtuar mjetin "Mercedes Benz", me targë TR 0874 H, ka aksidentuar fëmijën Riza Alleshi, 6 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Vetëm pak ditë më parë, policia e kryeqytetit paralajmëroi drejtuesit e mjeteve se do të marrë masa të ashpra për të gjithë shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.