E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga shqiptarit me dokumente bullgare

Policia e Rinasit ka vënë në pranga një person, i cili kishte falsifikuar një sërë dokumentesh me qëllim që të emigronte ilegalisht jashtë vendit. Bardhyl Kaca kishte vënë në përdorim dokumente bullgare të falsifikuara, por nuk ka mundur t‘i mashtrojë efektivët e policisë së Rinasit për të emigruar drejt vendit ku ishte nisur. Burimet zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit në Tiranë bënë të ditur se nga Seksioni i Hetimit të Investigimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Rinas u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Bardhyl Rexhep Kaca, 25 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Sukth të Durrësit. Arrestimi i këtij personi u krye sepse është kapur në flagrancë në mesditë, kur ishte në kabinat e përpunimit të pasagjerëve te zona e hyrjes, në aeroportin kombëtar "Nënë Tereza". Sipas të dhënave hetimore, ai dispononte pasaportë bullgare, kartë identiteti bullgare, leje drejtimi bullgare, për të cilat dyshohet se janë të gjitha të falsifikuara. Policia shpjegoi se janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet do t‘i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›