Tiranë, digjen rreth 336 kg drogë e sekuestruar
Policia e Tiranës asgjëson sërish sasi të konsiderueshme droge, e sekuestruar gjatë operacioneve të ndryshme. Rreth 336 kg drogë të llojeve të ndryshme janë asgjësuar pikërisht në vendin e hedhjes së mbeturinave në Sharrë të Tiranës. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Tiranë bënë të ditur gjatë ditës së djeshme se me vendim të prokurorisë është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Tiranës për asgjësimin me djegie të një sasie prej 887 gramësh lëndë narkotike kokainë, 18 kilogramë e 23.9 gramë lëndë narkotike heroinë, si dhe 317 kilogramë e 180 gramë lëndë narkotike kanabis. Procesi i asgjësimit të lëndës narkotike është drejtuar nga një komision i përbërë prej përfaqësues të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, përfaqësues të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, përfaqësues të Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, shefi i sektorit kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, shefi i seksionit kundër narkotikëve në sektorin kundër krimit të organizuar, ekspert kriminalist, asistuar nga specialistë dhe ekspertë të këtij drejtimi, në vendin e hedhjes së mbeturinave në Sharrë të Kombinatit. Burime zyrtare nga policia thanë se procesi i asgjësimit të lëndës narkotike u shoqërua me fotografimet dhe filmimet përkatëse. Provat do të administrohen dhe arkivohen nga policia. Shkatërrimi i kësaj lënde narkotike është bërë pas dhënies së vendimeve të formës së prerë nga drejtësia shqiptare për personat që u është kapur lënda narkotike.