Prokuroria: 13 vjet burg për grabitësin e çantave të grave
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 13 vjet burg për grabitësin me dhunë të çantave të grave. Bianko Beqiraj akuzohet nga akuza kryeqytetase për vjedhje me dhunë, ndërsa dje në Gjykatën e Tiranës është kërkuar dënimi i tij përfundimtar. Në konkluzionet përfundimtare thuhet se Beqiraj arrinte të grabiste disa qytetare të Tiranës nëpërmjet motoçikletës. Akuza thotë se i riu përdorte një metodë pak në "modë" në Shqipëri. Teksa pikaste femra të vetme që ecnin në rrugë, u afrohej me motoçikletë duke i goditur në pjesë të ndryshme të trupit. Më pas u merrte çantat dhe largohej në rrugicat e Tiranës, duke i humbur gjurmët policisë. Dhjetëra gra kanë denoncuar rastet në policinë dhe Prokurorinë e Tiranës, ndërsa kjo e fundit filloi hetimet nën akuzën e "grabitjes me dhunë". Gjatë një kohe të shkurtër janë paraqitur për dëshmi rreth dhjetë gra, të cilat kanë shpjeguar mekanizmin e grabitjes. Pas denoncimeve është arritur të dokumentoheshin rastet që datonin nga fundi i vitit 2007 deri në gjashtëmujorin e vitit 2008. Sipas prokurorisë, hetimi gjyqësor provoi se Bianko Beqiraj ka grabitur dhe dhunuar disa gra në Tiranë dhe si pasojë ai duhet të vuajë një dënim prej 13 vitesh heqje lirie. Prokuroria thotë se konkluzionet janë dhënë si pasojë e vetë të dëmtuarve në prokurori dhe gjykatë. Në seancën e radhës pritet që mbrojtja të japë konkluzionet përfundimtare, ku do të kërkohet një dënim më i butë.