E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre të vdekur nga aksidentet rrugore

Tre aksidente të rënda me pasojë vdekjen e tre personave kanë ndodhur në 24 orët e fundit në Milot, Durrës dhe në Fier. Ndërsa në rastin e parë viktima e përplasjes së dy automjeteve ka gjetur vdekjen, një grua 50-vjeçare nga Kukësi, në dy rastet e tjera viktimat kanë mbetur të paidentifikuara për mjaft kohë.

Kështu, në Kukës, si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, në kthesën e re të qytetit ka vdekur Lulëzime Gjoka, 50 vjeçe nga Kukësi, ndërsa tre persona të tjerë, dy prej të cilëve pjesëtarë të familjes së saj, janë plagosur rëndë. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se gruaja ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, ndërsa janë plagosur rëndë Festim dhe Hane Gjoka, si dhe Viktor Arapi nga Miloti. Viktima dhe dy prej të plagosurve udhëtonin nga Tirana për në Kukës, ndërsa Arapi udhëtonte nga Miloti për në Laç. Mësohet se makinat e përfshira në aksident kanë qenë të dyja me targa të huaja, njëra italiane dhe tjetra greke. Sipas policisë ka qenë makina me targa greke ajo që i ka prerë rrugën makinës tjetër. Drejtuesit e makinave ishin emigrantë dhe nuk ishin ambientuar me rrugën, ndërkohë që në vendin e aksidentit mungojnë edhe tabelat orientuese për drejtuesit e makinave.

Pasditen e djeshme, një tjetër aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën një burri rreth të pesëdhjetave në Durrës. Ngjarja rrugore ndodhi në unazën e re të Durrësit dhe viktima udhëtonte me një motor kur i ka prerë rrugën një automjeti të tipit "Mercedes Benz", me targa DR9329B. Drejtuesi i këtij automjeti, 21-vjeçari nga Durrësi, Mariglen Sidi, është përplasur me motoçikletën, e cila i ka prerë rrugën me shpejtësi. Sidi ka ndaluar menjëherë pas aksidentit dhe ka njoftuar policinë, ndërsa për motoçiklistin ka qenë tepër vonë. Si pasojë e goditjes së fortë, ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka kryer veprimet e para për të përcaktuar shpejtësinë e lëvizjes së mjeteve të përfshira në aksident dhe të përgjegjësisë. Vetëm disa orë pas aksidentit, policia arriti të identifikonte viktimën, i cili është Myrteza Agalliu, 58 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Durrës.

Ndërsa në Fier, viktimë e një aksidenti ka qenë një 70-vjeçar nga Vlora, i cili është përplasur nga një motoçikletë pa targa që drejtohej prej 18-vjeçarit Çelnik Hila, banues në fshatin Frakull. Hila në momenti e aksidentit ishte i shoqëruar nga shoku i tij, Alban Rrapaj. Mësohet se dy të rinjtë janë në rrezik për jetën dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin rajonal të Fierit, ndërkohë që 70-vjeçari i cili gjeti vdekjen e menjëhershme, është mundur të identifikohet vetëm disa orë më pas. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:30 të paradites së të enjtes, në segmentin dytësor Frakull-Kafaraj, rreth 13 km larg nga qendra e Fierit. Sipas burimeve policore, në dalje të fshatit Kafaraj motoçikleta e dy 18-vjeçarëve është përplasur fuqishëm me 70-vjeçarin Abaz Tare, që sapo kishte zbritur nga një furgon pasagjerësh. Furgoni ishte nisur nga Fieri dhe transportonte pasagjerë për në disa fshatra të Levanit dhe Frakullës. Përplasja ka qenë fatale për të moshuarin, i cili ka ndërruar jetë brenda pak minutash. Kalimtarët e rastit u kanë dhënë ndihmën e parë të aksidentuarve, duke i transportuar për në spitalin e Fierit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›