E Diel, 1 Nëntor 2026

Po luanin me një pistoletë, vret shokun nga pakujdesia

Një i ri ka mbetur i vdekur ditën e djeshme në Tiranë, kur është qëlluar me pistoletë nga shoku i tij. Ngjarja ka ndodhur nga pakujdesia, ndërsa ata po rrinin në një dyqan pjesësh këmbimi, ku njëri prej tyre punonte prej disa kohësh. Miku i tij, Edvin Koçi, kishte shkuar për t‘i bërë shoqëri dhe aty kishin marrë një pistoletë duke luajtur, por kjo ka qenë fatale. Në lojë e sipër, Buza ka shkrehur armën, duke e qëlluar në kokë Koçin. Plumbi e ka plagosur rëndë të riun 22-vjeçar, i cili është dërguar në gjendje kritike në spital. Por kur kanë kaluar vetëm pak minuta, teksa mjekët po tentonin të bënin ndërhyrje kirurgjikale, ai ka ndërruar jetë.
Policia është njoftuar rreth orës 17.30 të pasdites së djeshme, ku një telefonues ka deklaruar se kishte dëgjuar një të shtënë arme dhe më pas kishte kuptuar se ishte plagosur rëndë një djalë i ri. Me t‘u njoftuar, shërbimet e Komisariatit Nr. 3 janë nisur për në vendin e ngjarjes, e të parët që kanë mbërritur aty kanë qenë uniformat blu të postës së policisë në Laprakë. Aty kanë mësuar se ngjarja ka ndodhur në dyqanin me pjesë këmbimi "Auto Gëzimi", që ndodhet te pallatet "Hawai" në Laprakë. Një nga dy shokët punonte në këtë dyqan prej disa kohësh për shitjen e pjesëve të këmbimit. Ndërsa tjetri vinte shpesh dhe i bënte shoqëri. Kështu ka ndodhur edhe dje, kur Edvin Koçi dhe Donald Buzaj, të dy nga 22 vjeç, po luanin me njëri-tjetrin. Sipas të dhënave të policisë, gjatë bisedës, Buzaj ka nxjerrë një armë tip pistoletë, të cilën e mbante pa leje dhe ia ka treguar shokut të tij. Gjatë një momenti ai ka shkrepur këmbëzën e armës, kur një plumb ka qëlluar në kokë shokun e tij, Koçi. Persona, të cilët ndodheshin në lokalin ngjitur me dyqanin e pjesëve të këmbimit, janë trembur nga krisma dhe kur kanë dalë jashtë kanë parë se njëri prej dy të rinjve ishte shtrirë përdhe e nuk jepte shenja jete. Ata e kanë dërguar të riun menjëherë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, i cili ishte në gjendje kritike për jetën. Edhe pse bluzat e bardha kanë nisur menjëherë për dhënien e ndihmës së shpejtë ndaj 22-vjeçarit, ai nuk ka mundur të mbijetojë.
Në të njëjtën kohë është lajmëruar edhe policia. Efektivë të Komisariatit Nr. 3 në kryeqytet dhe oficerë të seksionit të luftës ndaj jetës dhe shëndetit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë kryer veprimet e para hetimore. Ndërkohë, është bërë i mundur edhe arrestimi në flagrancë i Donald Buzajt. Sipas policisë, sapo kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, është marrë informacion se nga kishte shkuar autori i kësaj ngjarje, i cili e kishte lënë armën e krimit në vend. Buzaj nuk ishte larguar shumë nga vendngjarja dhe në momentin që ka mbërritur policia, ai është vetëdorëzuar. Sipas policisë, ai është shoqëruar menjëherë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore në lidhje me rrethanat e ngjarjes. Ai ka treguar se armën e mbante prej disa kohësh dhe se ditën e djeshme kishte qenë duke luajtur me të, kur ishte shkrepur. Madje, ai deklaroi në polici se nuk e dinte se ishte e mbushur, e ka shprehur pendesë për krimin që ka ndodhur. Në këto kushte, policia e ka arrestuar atë nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia dhe armëmbajtjes pa leje. Nga ana tjetër, trupi i viktimës është dërguar në morg, ku janë kryer veprimet e ekspertizës, ndërsa arma u është dorëzuar ekspertëve të kriminalistikës në laboratorin shkencor. Sipas policisë, arma e sekuestruar është një "TT" dhe do t‘i nënshtrohet analizave nëse është përdorur në ndonjë krim tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›