Dy vjet gjykim për organizatat e Durrësit
Dështon për të 78-ën herë procesi gjyqësor ndaj organizatave kriminale të Durrësit, duke shënuar një rekord të shtyrjeve të njëpasnjëshme. Edhe dje, në procesin gjyqësor kanë munguar avokatët, të cilët e kanë bërë të rrugës mungesën në këtë proces, duke sjellë dështimin e deritanishëm të procesit, ku pritet të zbardhen dhjetëra ngjarje kriminale në qytetin e Durrësit. Sipas informacioneve nga gjykata, dita e djeshme e çështjes në gjykatë ishte e 761 dhe gjatë këtij harku kohor nuk është arritur të zhvillohet asnjë seancë e vetme ku mund të vijonte procesi normalisht me dëshminë e personave që mund të faktojnë akuzat e prokurorisë ndaj 16 të pandehurve. Sipas gjykatës, procesi i parë është realizuar në muajin korrik të vitit 2007, ndërsa dosja ishte dërguar nga prokuroria disa javë më parë, pas hetimeve të hollësishme. Në të shumtën e rasteve dosja është shtyrë pasi mungonin avokatët, por edhe me kërkesë të prokurorisë, e cila është "detyruar" nga problemet brenda sallës të kërkojë një seancë tjetër. E gjithë kjo situatë duket se ka një kosto të madhe për prokurorinë, gjykatën, por edhe për Policinë e Shtetit, e cila çdo ditë të enjte shoqëron nën masa të rrepta sigurie në Gjykatën e Krimeve të Rënda të penduarin Adriatik Coli. Kostoja financiare e gjykatës është organizimi i seancave gjyqësore, megjithëse asnjë nuk i ka shërbyer drejtësisë. Nga ana tjetër, çdo avokat, kryesisht për të pandehurit paguhet nga 2 deri në pesë mijë lekë të reja për çdo seancë. Ndërkohë në këto dy vjet nuk kanë munguar as kërcënimet për palët në proces. Fillimisht është kërcënuar trupi gjykues nga persona ende të paidentifikuar. Çështja është diskutuar madje në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por është përgënjeshtruar nga kryesuesi i çështjes Gurali Brahimllari. Pas kësaj nuk kanë munguar kërcënimet për të penduarin Coli, i cili shoqërohet gjatë gjithë kohës nga dhjetëra forca të BRISK-ut. Nën trysni janë edhe avokatët që kërcënohen nga klientët apo nga i penduari, duke u detyruar të mungojnë me radhë në proceset gjyqësore.
Procesi i madh, në të cilin ndodhen 17 të pandehur, ka mbushur dy vite që ka nisur në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet. Të pandehurit: Lulëzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullau, Indrit Dokle, Dritan Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Bregu, Ahmet Ajeti dhe Osman Karpuzi janë akuzuar për veprat penale të "krijimit të bandës së armatosur dhe organizatës kriminale", "kryerjes së krimeve nga banda e armatosur", "vrasjes me dashje", "armëmbajtjes pa leje" etj.