Aksidentet, plagoset rëndë një 8-vjeçar
Dy aksidente të tjera rrugore kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme, ku një fëmijë është plagosur rëndë, ndërsa një grua ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në lidhje me to, policia e kryeqytetit vuri në dijeni se nga specialistët e hetimit të aksidenteve u krye arrestimi në flagrancë për Eduart Behlulin, 20 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Bathore të Tiranës. Arrestimi i tij u krye, pasi dy ditë më parë, në Bathore-Zall Herr, duke drejtuar automjetin tip "Mercedes Benz", me targë KU3550A, ka aksidentuar 8-vjeçarin L.K., 8 vjeç, banues në Bathore, i cili po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. I mituri u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore. Gjithashtu, po nga seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Naim Kaxhajën, 44 vjeç, banues në Baldushk. Ky person, rreth orës 08:00 të mëngjesit, në Baldushk, duke drejtuar motorin "Honda", ka aksidentuar Bedrie Hamatin, 57 vjeçe, e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.