E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Shqetësues raporti i DASH-it për Shqipërinë

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka komentuar dje raportin më të fundit të DASH-it. Sipas Metës, ky raport është mjaft shqetësues, sepse ai e vlerëson Shqipërinë si vendburim për trafikimin e grave dhe fëmijëve. Meta tha se, sipas këtij raporti, vlerësohet se qeveria e Shqipërisë nuk i plotëson standardet minimale për eliminimin e trafikut. "Është vërtet për t‘u shqetësuar për këtë pamje dhe imazhi që qeveria e Sali Berishës po i jep botës në përgjithësi dhe sidomos aleatëve tanë më të fuqishëm që na mbështetën në mënyrë të jashtëzakonshme për t‘u bërë vend anëtar i NATO-s", është shprehur Meta. Për kreun e LSI-së, rikthimi i vlerësimeve të tilla për vendin tonë, edhe pas anëtarësimit në aleancën më të madhe të lirisë, në NATO, tregon qartë që qeveria e Sali Berishës nuk e mori anëtarësimin në NATO si një nxitje për të arritur standardet, të cilat nuk u plotësuan. Përkundrazi, po e përdor vetëm për fushatë elektorale, për llogari të ngushta partiake, ndërkohë dhe ato pak standarde që ishin përmirësuar tashmë kanë marrë të tatëpjetën. LSI denoncon shpërdorimin që Kryeministri Sali Berisha i ka bërë anëtarësimit në NATO, për qëllime të ngushta elektorale dhe cenimit të imazhit të Shqipërisë tashmë si një vend anëtar i NATO-s, që ka probleme të tilla, të cilat janë tërësisht të patolerueshme. Këto shpjegojnë më së miri, tha Meta, përse kjo qeveri po bëhet pengesë për liberalizimin e vizave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, sepse nuk është në gjendje të garantojë kontrollet e kufijve dhe nuk është në gjendje të plotësojë as standardet minimale në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›