E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet atentatori i Kasandër Nogës

Ekstradohet nga Italia 35-vjeçarin, i cili tentoi të vrasë disa vite më parë killerin Kasandër Noga. Geron Hasabelli, 35 vjeç, është sjellë nga Milano e Italisë nën kujdesin e Interpol-Tiranës. Ai, së bashku me të vëllain, janë dënuar për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Nogës, pasi ky i fundit u kishte ekzekutuar babanë dhe disa të afërm të tjerë. Bëhet fjalë për një zinxhir ngjarjesh për afro 1 dekadë, me viktima nga të dyja familjet. Zyrtarisht, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit vuri në dijeni se ekstradimi i njeriut, i cili tentoi të ekzekutonte Kasandër Nogën, i njohur në botën e krimit si autor i "masakrës së Sanatoriumit", të ndodhur më 19 gusht të vitit 2000 afër Tiranës, u bë paraditen e djeshme nën masa të rrepta sigurie. Nga burimet zyrtare u njoftua se në orën 11:00, Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana kreu ekstradimin nga Milano e Italisë drejt Shqipërisë së shtetasit shqiptar Geron Hasabelli. Sipas të dhënave nga dosja penale, më 17 mars të vitit 2002 djaloshi nga qyteti i Fierit kishte tentuar të hakmerrej për babanë e tij, i mbetur i vrarë kur ai kishte qenë 26 vjeç.
Më 19 gusht 2000, Kasandër Noga kishte hyrë me automatik në dorë i shoqëruar nga Juliani dhe pasi kanë shkelmuar dhomën e reanimacionit, ku ndodheshin të shtruar Aqif Hasabelli (babai i Geronit) dhe Dritan Hajdini, u ka hequr serumin nga krahu dhe me breshëri automatiku i ka lënë të vdekur në vend. Në ngjarje u plagosën edhe tre të tjerë, vëllezër dhe të afërm të Hasabellit. Sipas të dhënave që shkruanin atëherë mediat, vrasja kishte ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi këta persona kishin vrarë kohë më parë vëllain e Kasandër Nogës.
Vëllezërit Hasabelli, mesa duket, ishin vënë në ndjekje të djaloshit nga Patosi i Fierit dhe dy vjet më vonë, saktësisht në orën 17:15 të datës 17 mars 2002, ndodhi atentati. Geroni, në atë kohë ishte 28 vjeç dhe së bashku me Erion Hasabellin tentojnë të hakmerren. Në lokalin "Prehistori" në Antverp të Belgjikës, Erion dhe Geron Hasabelli qëllojnë me armë Juljan Çelën dhe Kasandër Nogën. Në këtë atentat mbetet i vrarë Juliani, ndërsa plagoset rëndë Kasandri. "Ngjarja ka ndodhur për qëllim gjakmarrjeje, pasi Juliani dhe Kasandri kishin vrarë babanë e vëllezërve Hasabelli", sqarohet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme Policisë së Shtetit.
Për këtë ngjarje, Gjykata e Rrethit Fier, me vendimin nr. 461, datë 15 shtator 2008, vendosi masën e arrestit me burg për veprat penale të "vrasjes me paramendim" dhe "mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit". Arrestimi i Geron Hasabellit, me qëllim ekstradimin e tij, u bë i mundur si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës dhe Interpol-Romë. Pikërisht më 22 nëntor të vitit që shkoi, policia mundi të kryejë arrestimin e tij. Ai u kap në një lokal, ku mblidhej me emigrantë të tjerë për të luajtur me letra. Gjatë një operacioni për kapjen e klandestinëve në Milano, në rrjetën e policisë ra edhe Hasabelli.
Ndërsa Kasandër Noga u prangos nga policia belge në vitin 2003. Arrestimi u bë në bazë të një urdhër-arresti të Interpol-Tiranës, pasi Noga kishte marrë dy dënime nga drejtësia shqiptare, një me burgim të përjetshëm dhe një me 25 vjet burg. Autori i masakrës së përgjakshme ka mbërritur në Tiranë me pranga në duar më 17 maj të vitit 2005.

Tiranë

Masakra e sanatoriumit, me
dy të vrarë e tre të plagosur

Më 19 gusht të vitit 2000, Kasandër Noga dhe miku i tij, Julian Xhelo, ndoqën që nga qyteti i Patosit pesë njerëz që do të vizitonin një njeriun e tyre të shtruar në sanatorium. Ata pritën derisa shënjestra e tyre të hynte në sanatorium dhe u ngjitën në dhomën e të sëmurit. Nën kërcënimin e armëve, Noga dhe Xhelo u hoqën serumet dy të sëmurëve, Aqif Hasabellit dhe Dritan Hajdinit. Më pas zbrazën karikatorët e automatikëve, duke i lënë të vdekur në vend. Nga breshëritë e automatikëve mbetën të plagosur edhe shtetasit Agron Hasabelli, Lavdosh Karaj si dhe Genti Hasabelli, të afërm të viktimave. Shkaku i kësaj vrasjeje ishte një sherr i vjetër ndërmjet viktimave dhe Kasandër Nogës, ndërsa ky i fundit dyshonte se Hasabelli i kishte vrarë vëllain. Pas krimit të rëndë, Noga dhe Xhelo u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Prokuroria kreu hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim. Në përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata e Tiranës dënoi Kasandër Nogën me burgim të përjetshëm për vrasje me paramendim në rrethana të tjera cilësuese, vendim ky i dhënë në mungesë. Kasandër Noga u arrestua më pas nga policia belge, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Interpol-Tirana. Autori i masakrës së përgjakshme ka mbërritur në Tiranë me pranga në duar, pikërisht më 17 maj të vitit 2005, ku iu komunikua edhe vendimi me burgim të përjetshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›