E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani për raportin e DASH-it: Kritikat, plani ynë i punës

Qeveria shqiptare sheh me pozitivitet faktin që Shqipëria është ngjitur një shkallë më lart për sa i përket raportit të Departamentit të Shtetit Amerikan për trafikimin, pavarësisht se raporti i DASH për vitin 2009 ishte me nota kritike për Shqipërinë. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në një komunikim për median tha se gjithsesi raporti është një hap përpara, pasi nuk mbetet më një vend në vëzhgim. Përkrah zëvendësministres Zajmi, që merret me çështjet e trafikimit, Nishani tha se ky raport do të jetë një plan pune për ministrinë që ai drejton dhe më tej shtoi se Shqipëria ka përparuar në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. "Shqipëria del nga zona e vëzhgimit tani në krah të vendeve të tjera të Bashkimit Europian", ka folur me nota pozitive ministri Nishani. Më tej, ministri i Brendshëm vlerësoi atë çfarë thuhet në raport, se në vitin 2008 qeveria shqiptare tregoi përpjekje për t‘u siguruar viktimave të trafikimit mbrojtje dhe asistencë. Në të njëjtën kohë, ai deklaroi se qeveria ka dhënë 262 mijë dollarë për financimin e strehëzës që operohet nga qeveria shqiptare për përkujdesjen ndaj viktimave. Zëvendësministrja e Brendshme, Iva Zajmi, tha se gjatë vitit të kaluar ka një rritje të aktiviteteve parandaluese mbi trafikimin, si dhe vuri theksin tek angazhimet maksimale të qeverisë në këtë drejtim. "Tashmë nuk jemi vend nën vëzhgim, por jemi një vend që ka bërë një progres të madh në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore", tha ajo. Ndërsa Nishani vlerësoi se Shqipëria me vlerësimet e këtij raporti është tashmë në nivelin e shumë vendeve të Bashkimit Evropian për sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore. Kurse për parandalimin e këtij fenomeni, ministri i Brendshëm vlerësoi raportin, ku thuhet qartë: "Gjatë periudhës raportuese, qeveria e Shqipërisë ka zbatuar një numër aktivitetesh për parandalimin dhe luftën ndaj trafikimit. Që prej periudhës nëntor 2007, Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion një numër falas që funksionon 24 orë për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit. Ministria e Arsimit ka përfshirë në kurrikulat e shkollave të mesme programe për rritjen e ndërgjegjësimit për rrezikun e trafikimit. Në vitin 2008, qeveria miratoi një plan veprimi kombëtar për luftën kundër trafikut, specifikisht adresoi çështje lidhur me trafikimin e fëmijëve. Ministria e Turizmit mori drejtimin në monitorimin e kodit të sjelljes për parandalimin e turizmit të seksit për fëmijët, ku 24 agjenci turistike e nënshkruan", citoi kreu i Ministrisë së Brendshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›