Tiranë, mbytet në liqen një 11-vjeçar
Dy persona janë mbytur gjatë ditës së djeshme, teksa kanë qenë duke u larë në rezervuar dhe në liqen. Një fëmijë i mitur është mbytur në liqenin e Kasharit, ndërsa një tjetër në një lumë në Fushë-Krujë. Burimet policore bënë të ditur se paraditen e djeshme, Paris Bajrami, 11 vjeç, është mbytur në liqen teksa ka qenë me të afërm të tij. Menjëherë ai është nxjerrë nga liqeni, ku ende kishte shenja jete dhe është dërguar për në Spitalin Ushtarak. Por, aty ka ndërruar jetë, duke mos mundur të mbijetojë. Nga ana tjetër, një 23-vjeçar është nxjerrë nga një rezervuar, ku kërkimet janë bërë nga forcat RENEA. Sipas të dhënave nga Policia e Durrësit, është regjistruar viktima e parë e këtij sezoni të nxehtë. Burime nga policia lokale thanë se Flamur Hasani me origjinë nga Dibra dhe banim në Fushë-Krujë kishte shkuar për t‘u larë në rezervuarin e fshatit Kameras mesditën e së martës, pas një dite të gjatë pune në ndërtim. Sipas dëshmive të para, 23-vjeçari Hasani ishte parë duke notuar në thellësi të rezervuarit dhe më pas është zhdukur nga sipërfaqja ujore e tij. Menjëherë në ndihmë i kanë shkuar vëllezërit dhe persona të tjerë, por që nuk kanë mundur ta gjejnë dot. Në këto rrethana është njoftuar policia lokale dhe nëpërmjet saj janë njoftuar palombarët e forcave RENEA, për të kërkuar trupin e të riut. Janë dashur disa orë kërkimesh që palombarët të mund të nxjerrin trupin e pajetë të të riut. Kështu, rreth orës 13.30 të ditës së djeshme, kërkimeve u ka ardhur fundi dhe trupi i pajetë është dërguar në morgun e qytetit bregdetar.