Shkatërron shtëpinë dhe kërcënon familjen
Një 28-vjeçar në gjendje të pirë dhe pas një konflikti me familjarët e tij, ka përfunduar në prangat e policisë, pasi i ka kërcënuar ata se do i vriste. Naim Koldashi ka marrë një thikë në dorë, ka nisur duke shkatërruar gjithçka në banesë dhe kur familjarët kanë tentuar ta ndalojnë, ai ka tentuar t‘i vrasë. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se ndalimi i tij u bë pasditen e së martës në fshatin Domje. Nga të dhënat hetimore mësohet se ai kishte pasur një konflikt në familje dhe ka qenë në gjendje të dehur kur ka mbërritur aty. Gjithçka është zhvilluar rreth orës 15:00 deri në 15:30, ku ai ka thyer xhamat e dyerve të banesës dhe ka kanosur për jetën familjarët me anë të një thike. Më pas, efektivët e Komisariatit Nr. 5 kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë bërë arrestimin e tij.