Shpejtësia iu merr jetën 3 personave 4 të plagosur
Dy mjetet u përplasën në bulevard nga shpejtësia, duke lënë të vdekur njërin prej drejtuesve ndërsa drejtuesi tjetër u arrestua
Në përplasje u përfshinë edhe dy kalimtarë të rastit ndërsa dyshimet e policisë drejtohen mbi shpejtësinë dhe alkoolin
TIRANË- Një ditë pas aksidentit të rëndë ndodhur mëngjesin e djeshëm në qendër të kryeqytetit, policia ende nuk ka mundur të përcaktojë shkakun e aksidentit të rëndë me pasoja tragjike, ku tre persona humbën jetën e katër të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Burime të drejtorisë së Policisë së Tiranës, bënë të ditur dje se përplasja e mjeteve ka qenë e tepër e rëndë çka ka shkaktuar dëmtimin tërësisht të dy automjeteve "Land Rover", me targa të Tiranës dhe një BMW, ngjyrë gri me targa italiane.
Ekspertët kriminalistë dhe autoteknikë dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore, kanë qëndruar dje për më tepër se dy orë në vendin e ngjarjes, që ora 04:00, kur ndodhi aksidenti për të marrë dëshmi, për të kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe për të përcaktuar dinamikën e aksidentit.
Ndërkaq, deri në zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit, si dhe drejtuesit shkaktarë, policia ka ndaluar drejtuesin e fuoristradës "Land Rover", Kliton Andoni, për veprën penale të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur, drejtimit të mjetit jashtë normave të lejuara të shpejtësisë dhe mos respektimit të sinjalistikës rrugore.
Nga këqyrja policia pohoi se së paku një prej mjeteve që dyshohet se vinte nga bulevardi "Bajram Curri", ndërsa nuk ka respektuar sinjalistikën rrugore, duke mos i dhënë përparësi mjetit që udhëtonte në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Se cili prej mjeteve nuk ka respektuar trekëndëshin e përparësisë, policia ende nuk e ka përcaktuar. Kjo pasi ka dy palë dëshmitarë që japin dy versione të ndryshme të ngjarjes, duke bërë që policia të mos orientohet saktësisht për rrethanat e aksidentit të rëndë.
Dyshimet e policisë lidhen me faktin se drejtuesit mjeteve duhet të kenë qenë me shpejtësi tejet të madhe, si dhe nën efektin e pijeve alkoolike, çka nga përplasja e dy mjeteve që mendohet se po udhëtonin me shpejtësi tej normave të lejuara, mbetën të vdekur drejtuesi i veturës BMW 318 me targa CC 944XA, Kliton Andoni, 37 vjeç, pasagjerja e mjetit Blerta Beshi, si dhe Gentian Shehi, pasagjer në automjetin "Land Rover", me targa TR 9251 L, drejtuar nga Aldi Ishmaku, 23 vjeç.
Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë, dhe është në spitalin ushtarak në gjendje të rëndë bashkë me një vajzë 23 vjeçare me inicialet, D. G, si dhe dy kalimtarë të rastit nga Fieri dhe Lushnja që ktheheshin nga një festë e organizuar nga ndërmarrja e tyre në hotel "Rogner".
Arben Alla, 36 vjeç, dhe Fatmir Leka, 20 vjeç, mbetën të plagosur ndërsa ecnin në këmbë pasi ktheheshin nga një festë në hotel Rogner vetëm 150 metra larg vendit të ngjarjes.
Aksident i rëndë ndodhi dje në orët e para të mëngjesit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, kur një autoveturë "BMË" 318 me targa italiane dhe një tjetër "Land Rover", me targa italiane, u përlasën në krahun jugor të urës së bulevardit.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes policia ka vënë re se dinamika e aksidentit ka përfshirë një sipërfaqe të madhe, ku thuajse e gjithë karrexhata e bulevardit kishte copëza të mjeteve të shpërndara në rrugë. Të plagosurit që janë pyetur nga policia nuk kanë mundur të saktësojnë drejtimin e udhëtimit të mjeteve, për shkak edhe të gjendjes së tyre të rëndë shëndetësore.
Ndërkaq, ekspertët kriminalistë për të sqaruar nëse ndonjë prej drejtuesve të mjeteve ka qënë nën ndikimin e pijeve alkoolike, ka marrë kampione të gjakut të secilit me qëllim gjetjen e elementëve të ndryshëm që mund të hidhnin dritë mbi ngjarjen. Ndërkaq policia po pret edhe përmirësimin e gjendjes së të dëmtuarve, për të marrë dëshmitë e tyre.
Të vdekur
Aldi Ishmaku, 23 vjeç, drejtues i mjetit BMW
Blerta Beshi, 25 vjeç, pasagjere në mjetin BMW
Gentian Shehi, 27 vjeç, pasagjer në mjetin "Land Rover"
Të plagosur
Kliton Andoni, 37 vjeç, drejtues i mjetit "Land Rover"
Një femër e paidentifikuar, pasagjere në mjetin BMW
Arben Alla, 36 vjeç, kalimtar i rastit
Fatmir Leka 20 vjeç, kalimtar i rastit