Aksidentet rrugore, pesë të plagosur në vend
Pesë të plagosur ka qenë bilanci i shënuar dje nga katër aksidente rrugore, të ndodhura brenda një harku të shkurtër kohorë. Mes të lënduarve ka qenë një vajzë e vogël 10-vjeçare, nga fshati Cangonj, i Rrethit të Korçës, ndërkohë që policia ka nxjerrë si shkak të aksidenteve pakujdesinë dhe lëvizjen me shpejtësi, tej normave të lejuara. Rasti i parë është shënuar në fshatin Cangonj në rrugën nacionale Korçë-Kapshticë. M.A, 10 vjeç ka qenë duke transportuar një arkë me mollë drejt tregut të fshatit të improvizuar buzë rrugës nacionale, kur është përplasur nga një mjet i tonazhit të rëndë. Në një moment pakujdesie dhe hutimi, vajza i ka ndërprerë lëvizjen mjetit që kishte për destinacion qytetin e Korçës. Edhe pse mjeti ka devijuar për të shmangur përplasjen me 10-vjeçaren, kjo ka qenë e pamundur, ndërkohë që nga përplasja e mitura ka marrë plagë të rënda. Vogëlushja është transportuar me urgjencë drejt spitalit të qytetit të Korçës, ku ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor. Ndërkohë pak orë më vonë, në Fier, një furgon që transportonte dasmorë, ka përplasur një të moshuar që udhëtonte me biçikletë, pranë Fermë-Çlirimit në Fier. Ngjarja rrugore ka ndodhur dje, rreth orës 14:30, kur Gazment Demiri, banor i Komunës Qendër, i cili punonte si shofer furgoni, ka përplasur 79-vjeçarin Nasi Tauli, i cili ishte duke lëvizur me biçikletë. I moshuari çonte qumësht në Fier, kur është përplasur nga furgoni me targa Fr 2396 B, që drejtohej nga 29-vjeçari Demiri. Mësohet se si pasojë e përplasjes, i moshuari ka marrë plagë të rënda në kokë dhe në trup. Ai është transportuar me urgjencë për në spitalin rajonal të Fierit, nga ku mësohet se gjendja e tij është e rëndë. Po dje, në autostradën Tiranë-Fushë Krujë janë plagosur tre persona, si pasojë e përplasjes së tre automjeteve. Dy automjete tip "Benz", të cilat po udhëtonin në drejtime të kundërta, janë përplasur me njëra-tjetrën, duke përfshirë dhe një fugon. Nga përplasja e tre makinave mbetën të plagosur rëndë tre persona, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Ndërsa dje në mesditën, pranë Shkollës Teknologjike në Tiranë, është shënuar një tjetër aksident, por që fatmirësisht nuk pati të lënduar. Një automjet tip "Range Rover" me targa të Tiranës është përplasur me një shtyllë semaforësh, duke e rrëzuar atë plotësisht. Rënia e shtyllës nuk ka prekur makinat e tjera që lëviznin në këtë segment, e për pasojë nuk pati as viktima në njerëz.