Lidh të birin pas makine, ndjekje penale shqiptarit
Minuta tmerri për një djalë 14-vjeçar në Larisa të Greqisë, i cili u lidh me litar në makinën e të atit, një 39-vjeçar me profesion piktor dhe u lëndua për shkak se nuk e dëgjonte babanë që e qortonte. Burimet policore thanë se emigranti 39-vjeçar, me leje të rregullt qëndrimi, ka pranuar ngjarjen duke deklaruar se ishte detyruar ta lidhte të birin në makinë dhe më tej të lëvizte nëpër rrugë në atë gjendje, sepse ishte i pabindur dhe shpesh kur e qortonte, nuk e dëgjonte. Policia mësoi për ngjarjen pas telefonatës së një fqinje të familjes emigrante, e cila tregoi se po shihte të ecte nëpër rrugë, një makinë me fëmijën e lidhur nga pas, i cili klithte nga dhembjet dhe qante. Ngjarja e rrallë ka ndodhur në Shën Thoma, lagje e qytetit Larisa në Greqi, ku familja shqiptare jeton prej afro tetë vjetësh. Prindi 39-vjeçar ka shkuar pasdite në shtëpi ku jeton me gruan dhe djalin adoleshent dhe ka pikasur të birin në gabim. Menjëherë e ka qortuar, por duket se irritimi ishte i fortë, sepse babai i është hakërryer të birit 14-vjeçar, duke u hakmarrë për faktin se ishte i pabindur. E ka marrë të birin, e ka vendosur në pjesën e parme të makinës dhe e ka lidhur me një litar. Pasi u sigurua se e kishte lidhur mirë të birin, është futur në sediljen e shoferit, ka ndezur motorin e makinës dhe ka nisur të ecë, duke e detyruar të ulërijë nga frika, dhembjet dhe turpi i një skene të tillë. Pak minuta më vonë në vendngjarje mbërriti policia, e cila ndaloi të dyshuarin dhe dërgoi në spitalin rajonal 14-vjeçarin, i cili iu nënshtrua mjekimit pa asnjë rrezik për jetën. Gjatë marrjes në pyetje dhe më tej në rrëfimin para gjyqtarit të gatshëm në Gjykatën e Larisas, 39-vjeçari ka pranuar se ishte i vetëdijshëm në atë që kishte bërë, duke pohuar se ishte i ndikuar së pari nga fakti që kishte pirë disa birra, duke u përballur i dehur me të birin dhe së dyti, sepse djali shpesh nuk e dëgjonte kur e qortonte. Me akuzën e ushtrimit të dhunës në familje, 39-vjeçari iu dorëzua hetimit penal të prokurorisë dhe kaloi për shqyrtim në gjykatë, ku kërkoi gjykim të përshpejtuar që iu pranua, duke aplikuar ndjekje në gjendje të lirë.
Marrë nga NOA
Marrë nga NOA