E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda, bllokohen 3.3 tonë vaj industrial

Sekuestrohet nga Policia e Vlorës një sasi prej 3355 litra vaj makinash pa dokumentacion shoqërues. Dje në mëngjes, policia e qytetit të Vlorës vuri në pranga 45-vjeçarin Bush Xhavara, pasi në magazinën e tij u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 3355 litra vaj makinash. Sipas zëdhënësit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, Saimir Koçiaj, arrestimi i Xhavarës është bërë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e krimit ekonomik, në bazë të të dhënave operative në magazinën në pronësi të tij në lagjen "Pavarësia", u gjet sasia e lartpërmendur e vajit industrial, i markës "Q 8", i ambalazhuar në bidonë kauçuku, 20, 15 dhe 1 litërsh. Në bazë të verifikimeve të kryera për të gjithë sasinë e vajit, Xhavara nuk ka disponuar asnjë dokumentacion. Më pas, sektori kundër krimit ekonomik ka sekuestruar të gjithë sasinë e vajit në cilësinë e provës materiale. Materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit të Vlorës për hetime të mëtejshme. Ndaj shtetasit Bush Xhavara do të rëndojë akuza për kryerjen e veprës penale të "ruajtjes dhe depozitimit të mallrave kontrabandë", parashikuar nga neni 179 i Kodit Penal. Sipas burimeve të policisë, aksioni u krye pasi u siguruan të dhëna të mjaftueshme se në magazinë kishte një sasi vaji industrial makinash pa dokumentacion. E gjithë sasia e vajit mendohet të ketë ardhur kontrabandë nga jashtë shtetit, me rrugë detare, ose duke e fshehur në kamionë midis mallrave të tjerë, e duke mos e deklaruar në doganë, në momentin që ka hyrë në Shqipëri. Pas marrjes në pyetje të Xhavarës do të përcaktohet se nga ka hyrë vaji dhe në çfarë forme ka hyrë, si dhe cilët janë bashkëpunëtorët e tij.

Mi. Ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›