E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet rrugore, policia rrugore "ashpërson" masat

Tre aksidente rrugore brenda 24
orëve në Qarkun Tiranë kanë
detyruar policinë të marrë një sërë
masash për parandalimin e tyre. Si
pasojë, një person humbi jetën,
ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur
rëndë. Ndërkohë, tri persona
janë arrestuar me akuzën e "shkeljes
së rregullave të qarkullimit
rrugor". Sipas burimeve zyrtare nga
Policia e Tiranës, 18-vjeçari Erand
Mejdani, duke drejtuar mjetin tip
"Ford", me targa TR7484F, pranë
shkollës "Vasil Shanto", aksidentoi
këmbësorin Dhimitër Beluri, 80
vjeç, i cili ndërroi jetë më pas në
Spitalin Ushtarak të Tiranës. Policia,
e cila kreu veprimet procedurale,
mori masën e arrestit në kushtet
e flagrancës ndaj 18-vjeçarit.
Aksidenti tjetër ndodhi në Kamzë, kur
Edmond Kllogjeri, 30 vjeç, duke
drejtuar automjetin furgon tip
"Mercedes-Benz", me targa
TR4091J, aksidentoi këmbësorin
Isuf Cani, 45 vjeç, banues në Kamzë,
i cili është dërguar në spital
dhe ndodhet në gjendje të rëndë
shëndetësore. Forcat e policisë arrestuan
drejtuesin e mjetit. Ndërsa
në Laprakë, Fatmir Likja, 35 vjeç,
duke drejtuar automjetin tip
"Benz", me targa CE647GX, në
Rrugën e Durrësit, aksidentoi
rëndë këmbësorin Ajet Arapi, 44
vjeç, banues në Tiranë. Edhe në
këtë rast, forcat e policisë arrestuan
drejtuesin e mjetit. Çështjet penale
për këto aksidente i kaluan
prokurorisë për veprat penale të
shkeljes së "rregullave të qarkullimit
rrugor". Nga ana tjetër, Drejtoria
e Policisë së Qarkut Tiranë, duke
marrë shkas nga këto aksidente, ka
bëre thirrje që të gjithë ata persona,
të cilët qarkullojnë në rrugë me
ose pa automjete, të bëjnë kujdes
dhe të tregohen të vëmendshëm
në zbatimin e normave të sjelljes
të sanksionuara në Kodin Rrugor.
Moszbatimi i tyre po paguhet padrejtësisht
me jetë. Nga ana tjetër,
policia rrugore ka forcuar masat në
rrugë, duke ngritur një sërë postblloqesh.
Gjatë gjithë ditës janë
ushtruar kontrolle të rrepta për respektimin
e Kodit Rrugor. Policia
tha se masat do të vijojnë edhe në
ditët e tjera, me qëllim sensibilizimin
e drejtuesve të mjeteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›