E Diel, 1 Nëntor 2026

ILDKP, aksion për evidentimin e rasteve të krimit ekonomik

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive konsolidoi dje një aleancë ndërinstitucionale për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit e krimit ekonomik. Në mirëkuptim të plotë me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, të përfaqësuar nga drejtori i përgjithshëm, Arben Doçi, me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, përfaqësuar nga drejtori i përgjithshëm, Artur Papajani, me Avokaturën e Shtetit, përfaqësuar nga avokati i përgjithshëm, Eduard Halimi, si edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, përfaqësuar nga drejtori i përgjithshëm, Ahmet Prençi, Inspektorati i Lartë, i përfaqësuar nga inspektori i përgjithshëm, Adriatik Llalla, nënshkroi memorandume bashkëpunimi. Marrëveshjet kanë për bazë mbledhjen, zhvillimin dhe analizimin e informacionit që do të shkëmbejnë në lidhje me fshehjen e interesave private dhe pasurore, korrupsionin, krimin ekonomik, evazionin fiskal, apo të aktiviteteve të jashtëligjshme që lidhen me to. Në fjalën e tij pas firmosjes, inspektori i përgjithshëm i ILDKP-së, Llalla, e vlerësoi maksimalisht angazhimin e institucioneve për bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional. Po ashtu, u rikujtoji subjekteve deklaruese respektimin e afatit ligjor për deklarimin e interesave private "periodik/vjetor", i cili përfundon më 31 mars, si edhe theksoi se "mekanizma të tillë të shkëmbimit të informacionit dhe të dhënave, siç parashikohet në memorandumet e nënshkruara me këto struktura përgjegjëse antikorrupsion, do të krijojnë mundësi të tjera investigimi nga ana e Inspektoratit të Lartë, që padyshim do të lejojë hapësira më të gjera për zbulimin dhe ndëshkimin e rasteve abuzive". Në bazë të memorandumeve të firmosura, Inspektorati i Lartë angazhohet t‘u ofrojë institucioneve informacionin dhe praktikat, në rast të zbulimit të shkeljeve ligjore nga subjekte deklarues, apo të dyshuar për evazion fiskal, ose për pasuri të fituara si rrjedhojë e krimit ekonomiko-financiar. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), bazuar në aktin e firmosur sot, angazhohet në marrjen e masave për sigurimin e provave, nëse kërkohet nga ILDKP-ja gjatë zhvillimit të një procedure hetimore për rastet kur nuk mund ta bëjë vetë një gjë të tillë, duke shfrytëzuar hapësirat e saj ligjore për investigim brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, siç parashikohet edhe në memorandum, angazhohet për përshpejtimin e procedurave ligjore në rastet e verifikimit të pasurive të fituara nga fshehja e detyrimeve fiskale për subjektet që mbartin detyrimin për deklarimin e interesave private. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, kur kërkohet nga ILDKP-ja, angazhohet për të mbështetur në terren grupet e investigimit të Inspektoratit të Lartë, duke i bashkëshoqëruar me punonjës të strukturave të saj, të cilët do të ndihmojnë në mbarëvajtjen e procesit të mbledhjes së informacioneve. Avokatura e Shtetit merr përsipër që, në bashkëpunim me ILDKP-në, të ndjekë rastet e pavlefshmërisë së akteve dhe kontratave administrative në kushtet e konfliktit të interesave, si dhe zbatimin e procedurave ligjore për rregullimin e pasojave juridike të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›