Aksidentet shkaktojnë 5 të plagosur në Tiranë
Pesë aksidente rrugore kanë ndodhur ditën e djeshme në kryeqytet, duke shkaktuar pesë të plagosur. Ngjarjet kanë ndodhur në vende të ndryshme, ku në një rast treni ka përplasur një makinë. Në lidhje me rastin e parë, burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se nga seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore është marrë informacion se rreth orës 19:00, te kthesa e Kamzës, një mjet ka aksidentuar Taulant Danin, 19 vjeç, banues në Tiranë, me arsim 12 klasë, i cili pas mjekimit ndodhet në banesë. Ndërkaq, drejtuesi i mjetit është larguar dhe policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. Për aksidentin e dytë filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Gentian Kullollin, 33 vjeç, banues në Tiranë, sepse në orën 15:00, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", duke drejtuar mjetin "Opel", me targa TR4904R, është përplasur me motorin "Yamaha", me targë TR5A26, që drejtohej nga Sadik Krosi, 71 vjeç, banues në Tiranë. Edhe ky i aksidentuar ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se për ndjekje penale në gjendje të lirë u dërgua edhe Gjergji Hoxha, 24 vjeç, sepse në orën 14:15, në rrugën "Bardhyl", duke drejtuar mjetin "Mercedes Benz", me targë TR5427I, është përplasur me motorin "Yamaha", që drejtohej nga Dritan Gorenza, 42 vjeç. Ky i fundit ka pësuar disa plagë nga përplasja, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia shtoi se për ndjekje penale në gjendje të lirë u dërgua edhe Fitor Adilaj, 39 vjeç, banues në Tiranë, sepse në orën 15:00, në rrugën "Besa", duke drejtuar motorin "Yamaha" TR1A22, është përplasur me motorin "Honda", TR195D, që drejtohej nga Shpëtim Sefa, 41 vjeç, banues në Tiranë. Për pasojë është aksidentuar Fitori dhe bashkëshortja Zyhrie Adilaj, 39 vjeçe, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa në aksidentin e fundit, treni i drejtuar nga makinisti Gëzim Çorbaxhiu ka përplasur një makinë. Fatmirësisht, në këtë aksident nuk ka pasur të dëmtuar.
Ble. Gi.
Ble. Gi.