Dëmton bankomatin, se nuk i nxori lekë
Inatin se ka mbetur pa lekë ia ka nxjerrë bankomatit, por kjo i ka kushtuar shumë, pasi është dërguar për ndjekje penale nën akuzën e dëmtimit të pronës. Bëhet fjalë për një 45-vjeçar nga Sauku i Tiranës, i cili është identifikuar dhe shoqëruar nga policia. Sipas të dhënave hetimore, ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në bulevardin "Bajram Curri". Fatos M., 45 vjeç, është afruar në një bankomat, ka futur kartën për të tërhequr paratë, por ai nuk punonte. E ka provuar disa herë, por si përfundim nuk ka marrë asnjë kacidhe. Në këto kushte, është nevrikosur jashtë mase, pasi nuk ka parë asnjë bankomat tjetër afër dhe ka filluar ta godasë, duke i thyer xhamin e ekranit. Në këto momente ai është vënë re nga kalimtarët dhe nga personeli, që kanë njoftuar policinë. Shërbimet e policisë nga Komisariati nr. 1 kanë shoqëruar 45-vjeçarin, i cili do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë, sipas nenit 150 të Kodit Penal.