Tiranë, policia zbulon një grup xhepistësh
Një grup xhepistësh, të cilët vidhnin udhëtarët e autobusëve të linjës në Tiranë, kanë përfunduar në polici. Ka qenë puna e disa agjentëve të policisë kryeqytetase, të cilët po punonin me zbulimin e grupit që ka sjellë prangosjen e tyre. Ata janë kapur të tre në flagrancë, teksa po tentonin të vidhnin portofolin e një shtetasi. Sipas të dhënave policore, hetimi për grupe të tilla, që përbëhen zakonisht nga dy ose tre veta, ka nisur pak kohë më parë. Agjentë policie janë shpërndarë në autobusët e linjave të Tiranës për të vëzhguar dhe zbuluar këto raste flagrante. Me urdhër të veçantë u përgatit një plan masash dhe menjëherë nisi zbatimi i tij. Madje, edhe në ditët e kaluara, policia ka mundur të prangosë një sërë hajdutësh në këtë mënyrë. Ndërsa për kapjen e grupit, burimet policore të kryeqytetit shpjeguan se ky aksion u krye nga shërbimet e Komisariatit nr. 4. Sipas tyre, autorët janë lënë për t‘u proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak se në momentin e ndërhyrjes e kanë lëshuar portofolin në tokë dhe nuk është mundësuar dokumentimi se ata ia kishin marrë nga xhepi një qytetari. Në këto kushte, policia ka shoqëruar Gramoz M., 32 vjeç, Andi K., 38 vjeç dhe Vesel T., 22 vjeç. Ky i fundit ishte personi i cili vidhte portofolat nga xhepat, ndërsa dy të tjerët krijonin rrëmujën e nevojshme për të humbur vëmendjen dhe e merrnin portofolin dorë më dorë, në mënyrë që të zhduknin gjurmët. Ata janë kapur pikërisht rreth orës 08:30 të mëngjesit në autobusin e Unazës, te kryqëzimi i rrugës "5 Maji", pranë tregut të madh. Madje, policia shtoi se ata kanë qenë të dënuar edhe më parë për vjedhje.
Ble. Gi.
Ble. Gi.