E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikt me thika mes gjashtë adoleshentëve, plagosen 3 vetë

Një sherr mes gjashtë të rinjve, që ka shkuar deri në përdorim të thikave, ka shkaktuar tre të plagosur, ndërsa tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë në Sauk, duke sjellë plagosjen e rëndë të adoleshentëve. Gjithçka ka filluar nga një kapriço mes dy grupeve, që më pas ka sjellë debate të ashpra dhe konfrontim trup më trup. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se rreth orës 21:00 është njoftuar se një sherr me thika po kryhet në Sauk. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 1, që janë vënë në dijeni se nga ky sherr ishin plagosur tre adoleshentë, përkatësisht të moshave, 15, 17 dhe 19-vjeçare. Grupi hetimor shpjegoi më tej se menjëherë është bërë identifikimi i të dëmtuarve, që ka rezultuar se janë vëllezërit Ramazan dhe Karafil Nuredinaj, 15 dhe 17 vjeç, si dhe Erald Memoçi, 19 vjeç. Ata janë dërguar me urgjencë në spital dhe sipas të dhënave policore ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, mjekët e spitalit bënë të ditur se ata kanë marrë shumë plagë dhe kanë humbur gjak, kështu që vazhdojnë të trajtohen me shumë kujdes. Nga ana tjetër, grupi i punës në polici ka vazhduar punën me zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke sjellë fillimisht identifikimin e njërit prej autorëve e më pas edhe dy miqve të tij, që në bashkëpunim kishin plagosur tre bashkëmoshatarët. Sipas të dhënave policore, fillimisht u shpall në kërkim Ermal Sufa, 16 vjeç, i cili dyshohet se në bashkëpunim me të dyshuarit e identifikuar nga policia me inicialet Y. T., dhe F. M., kanë shkaktuar këtë ngjarje të rëndë. Policia tha në përfundim se po punon për kapjen e të treve.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›