E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimet, 3 mijë euro për një vizë

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet për një grup të mirorganizuar që falsifikonte viza. Nën akuzë janë 10 persona. Grupi e kishte krijuar bazën në kryeqytet, te "Zogu i Zi", nga menaxhonte funksionimin e aktivitetit në të gjithë Shqipërinë. Aktiviteti i tyre milioner u mbyll nga përgjimet e bisedave që realizonin për nxjerrjen e një vize kundrejt shumave të mëdha.

Dosja

Në pranverën e vitit 2008, shërbimet e policisë së Tiranës kanë siguruar informacion se një shtetas me emrin Luan Klosi, banor i zonës së Kamzës dhe preferues i një grupi lokalesh kryesisht në zonën e "Zogut të Zi", merrej me falsifikim vizash. Nisur nga këto të dhëna është referuar informacioni pranë Prokurorisë së Tiranës, i cili është vlerësuar me interes për hetimin. Më datë 17.07.2008 ju është dhënë shërbimeve të policisë gjyqësore autorizimi përkatës për kryerjen e veprimeve stimuluese, si dhe çdo veprim tjetër në funksion të evidentimit dhe grumbullimit të provave për zbardhjen e aktivitetit të këtij personi.

Në kuadër të këtij autorizimi, nga ana e shërbimeve është realizuar me sukses që nëpërmjet veprimeve simuluese të merret nga shtetasi i mësipërm një pasaportë me vizë gjermane në emër të kërkueses S.F., vizë që ka dalë e falsifikuar. Nisur nga lehtësia me të cilën është arritur të sigurohet një vizë e tillë e falsifikuar, si dhe komunikimi i shpeshtë dhe tepër i hapur i këtij personi me persona apo grupe personash të tjerë shpesh edhe jo shumë të njohur, ai është mbajtur nën vëzhgim për një periudhë të gjatë, nga ku është evidentuar një aktivitet i zgjeruar i tij. Gjatë transkripteve të përgjimeve ambientale të realizuara mes këtij personi, si dhe të njohurve të tij, është krijuar baza e mjaftueshme e të dhënave edhe për rrethin e bashkëpunëtorëve të tij, duke pasur si pikësynim jo vetëm zbardhjen e mekanizmit të këtij aktiviteti të paligjshëm, por edhe përcaktimin e vendit ku fabrikoheshin dokumentet dhe vizat e falsifikuara. Pas informacioneve është dhënë urdhër që të përgjohen një numër i madh numrash të njerëzve që kishin lidhje me këta persona.

Nga transkriptet e bisedave telefonike të realizuara, ka rezultuar se personi me emrin Luan është shtetasi Luan Klosi, i cili nëpërmjet njohjeve të tij dhe njerëzve të ngushtë siguronte në periudha të ndryshme grupe shtetasish shqiptarë, të cilët për shkak të problemeve të tyre familjare duhej të udhëtonin drejt Greqisë dhe në pamundësi të marrjes së një vize të rregullt, Luan Klosi u siguronte viza të falsifikuara.

Është evidentuar se i pandehuri Luan, në realizimin e këtij aktiviteti merrej vetëm me mbledhjen e kontingjenteve të sipërcituara dhe merrte masat për transportin e tyre. Ka rezultuar se nisja realizohej nga Tirana drejt qytetit të Korçës. Për transportimin e emigrantëve ai bashkëpunonte me të pandehurin tjetër Alfred Cikani, i cili nëpërmjet njohjeve dhe lidhjeve të tij me shtetas të zonave kufitare, realizonte shpesh herë me sukses përmbylljen e aktivitetit kundrejt vlerave të konsiderueshme monetare që varionin nga 3000-4000 euro shpërblim, i cili sipas rregullave jo të shkruara mund të paguhej në Shqipëri, por edhe pas mbërritjes te persona të tjerë të cilët ndodheshin në anën tjetër të kufirit. I pandehuri Luan, përdoruesi i disa numrave telefonikë celularë të marrë në emër të tij apo dhe në emër të personave të tjerë gjatë periudhës që është mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim, është vërtetuar se ka dërguar në mënyrë klandestine 10 persona, midis të cilëve edhe gra dhe fëmijë, të cilët janë grumbulluar dhe transportuar drejt destinacioneve nga disa të pandehur të tjerë. Në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtin mekanizëm i pandehuri ka tentuar të kalojë ilegalisht në Greqi familjen e shtetasit Frederik Allushi, me tre fëmijë.

Përgjimet

Nga transkriptet e bisedave të ndryshme ka rezultuar qartazi se aktiviteti i Luan Klosit ka qenë jo vetëm në drejtim të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, por edhe në përgatitjen e disa dokumenteve shoqëruese për këta persona. Alfred Cikani është një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të shtetasit Luan Klosi. Ai ka ndihmuar "kapon" për të dërguar në Greqi familjen e shtetasit Frederik Allushi, të cilën e ka dërguar në qytetin e Korçës. Një tjetër bashkëpunëtor i Klosit është edhe Ardian Berisha, i cili ka ndjekur në vijimësi lëvizjen e familjes që donte të shkonte në Greqi, si dhe njëkohësisht ka mbajtur si garant dhe sasinë e lekëve të lëna për kalimin e suksesshëm të kufirit, çka e ka pozicionuar atë në rolin e një ndihmësi. Berisha bisedonte me një shtetas shqiptar që qëndronte në Greqi, Nasho Margariti, i cili merrej me dërgimin e klandestinëve me destinacion. Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se personi i kontaktit në Greqi ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti automobilistik. Një nga përgjimet e kapura nga prokuroria është edhe një bisedë midis shtetasit Nasho Margariti dhe Alfred Cikani. Pasi është siguruar lëvizja e plotë e grupit, i cili ishte nisur me autobus drejt qytetit të Ersekës, përdoruesi i numrit grek, Nasho, telefonon të pandehurin Cikani: "… I zunë. Ki kujdes…". Një tjetër bashkëpunëtor në këtë grup është edhe Gurali Bardhi, ish-punonjës i policisë, por për rrethana shëndetësore ka lënë policinë duke qenë aktualisht invalid. Ai ka ndërhyrë te një i pandehur që të dërgonte kundrejt fitimit një familje në Greqi. Ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë të ngushtë të shtetasit Luan Klosi janë Myftar Prengezaj dhe Fatmir Vukaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›