E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët rritin fluksin e këmbimeve, BSH-ja ndërhyn në treg



Kthimi i emigrantëve në atdhe për festën e Pashkëve Ortodokse ka shtuar fluksin e shkëmbimeve valutore në tregun e këmbimit. Si pasojë e kësaj, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregun valutor për të mos lejuar dobësimin e euros nga shkëmbimet që po bëjnë emigrantët e kthyer në atdhe për festë. Agjentët në tregun e këmbimit bëjnë të ditur se gjatë dy ditëve të fundit është rritur ndjeshëm fluksi i shkëmbimeve, çka do të çonte në një prishje të ekuilibrave në tregun e këmbimit. Ata njoftojnë gjithashtu se për të shmangur këtë dukuri, BSH-ja ka ndërhyrë, duke blerë valutën e tepërt për të balancuar kështu tregun për të mos lejuar dobësimin e euros. Si rezultat, në agjencitë e këmbimit, dollari blihet me 77.9 lekë dhe shitet me 78.4 lekë, ndërsa euro këmbehet me 122.0 lekë në blerje dhe me 122.5 lekë në shitje. Krahasuar me disa ditë më parë, kemi një forcim të lehtë të të dyja valutave të forta, si pasojë e ndërhyrjes së institucionit mbikëqyrës bankar. Agjentët në tregun e këmbimit bëjnë të ditur gjithashtu, që fluksi i shkëmbimeve valutore ka qenë i njëjtë me atë të një viti më parë. Por shumat që emigrantët këmbejnë, janë relativisht të ulëta për shkak të ditëve të pakta të qëndrimit të tyre në atdhe.

28 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›