Aksidentet shkaktojnë dy të vdekur dhe tre të plagosur
Dy të vdekur dhe tre të plagosur ka qenë bilanci i tre aksidenteve të ndodhura gjatë ditës së djeshme në rrugët e vendit. Ngjarja e parë ka ndodhur në rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd. Sipas burimeve zyrtare të policisë, rreth orës 11.30 të së martës, në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, në afërsi të fshatit Pishkash, një automjet tip furgon me targa FR 8872C ka dalë nga rruga. Për pasojë është dëmtuar A. N. 59 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa drejtuesi i mjetit Marjus Toska, 24 vjeç, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. I plagosuri është dërguar shpejt në spitalin e Librazhdit, ku po merr mjekimet e nevojshme dhe, sipas mjekëve, gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa në superstradën Lezhë-Shkodër ka ndodhur një tjetër aksident me pasoja për jetën. 29-vjeçarja Terezë Frroku ka gjetur vdekjen si pasojë e përplasjes së motoçikletës që drejtohej nga bashkëshorti i saj, me dy makina. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur “Ura e Gocajve”, ku dy automjete, njëri “Mercedes Benz” me targë SH 5748D me drejtues 39-vjeçarin nga Shkodra Dritan Selmani dhe tjetri “Audi A4” me targë YC02VMA me drejtues 43-vjeçarin nga Lezha Gjekë Gjeka, kanë përplasur motoçikletën “YAMAHA”, që drejtohej nga 33-vjeçari Arben Frroku nga fshati Barbullojë i Lezhës. Si pasojë e këtij aksidenti ka gjetur vdekjen bashkëshortja e drejtuesit të motoçikletës, Terezë Frroku. Ndërsa drejtuesi i saj dhe bashkëshorti i viktimës, Arben Frroku, është dëmtuar rëndë. Ai është dërguar menjëherë për të marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Lezhës dhe më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por gjendja e tij shëndetësore është mjaft e rëndë.
Aksidenti tjetër ndodhi në aksin kombëtar Korçë-Pogradec. Në afërsi të fshatit Petrushë, një automjet që udhëtonte në këtë rrugë është përplasur pas bordurës anësore, duke shkaktuar plagosjen e një udhëtari që ndodhej në makinë. Mjeti tip “Ford Fiesta” me targë TR 9474M i drejtuar nga 30-vjeçari Ervin Kanina me banim në Tiranë, ka humbur kontrollin dhe është përplasur pas bordurave metalike të rrugës. Policia tha se në këtë aksident automobilistik është plagosur shtetasi L. Xhukellari 30 vjeç, banues në fshatin Vërdovë të rrethit të Pogradecit. Sipas policisë, i aksidentuari nuk ka rrezik për jetën, ndërkaq drejtuesi i mjetit do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
#