Grabiten në mes të qytetit, arrestohet një nga hajdutët
Kapet pas dy muajsh njëri prej autorëve të grabitjes së dyqanit të argjendarisë në qendër të qytetit të Fierit. Ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tij, deklaron se autorit të arrestuar paraditen e së martës, i është gjetur një sasi e arit të grabitur në mes të ditës në qendër të Fierit. Pas më shumë se dy muaj hetimesh intensive, seksioni i krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier ka zbardhur grabitjen e argjendarisë, pronë e Ilia Plakut. Argjendaria ndodhet shumë pranë parkut “Rinia” dhe vetëm 50 metra larg sheshit qendror “Fitorja”. Në një njoftim për shtyp, Komisariati i Policisë Fier njofton se ka arrestuar 25-vjeçarin Ahmet Bellau, lindur në Përmet dhe banues prej disa vitesh në Tiranë, si autor i dyshuar i grabitjes së ndodhur më 12 maj të këtij viti në qendër të Fierit. Gjetja e sasisë së arit të vjedhur nga argjendaria e Ilias është ajo që ka “tradhtuar” grabitësin, i cili dyshohet se ka kryer edhe vepra të tjera të ngjashme. Arrestimi i Ahmet Bellaut ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të policisë fierake me atë kryeqytetase dhe më konkretisht me uniformat e Komisariatit Nr. 2 në Tiranë.
#