E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryepërmbaruesi nuk pranon fajin: Më bënë kurth

Vlorë Ernest Shimka nuk dëshmon para hetuesve. Pretendon se ia punuan për t’i zënë postin

Kreu i Përmbarimit të Vlorës nuk ka pranuar të dëshmojë për grupin hetimor një ditë pas arrestimit në zyrën ku punonte prej tri javësh. Ernest Shimka ka refuzuar të flasë me hetuesit, ndonëse është konsultuar nga avokati i tij. Ky i fundit mësohet t’i ketë kërkuar 28-vjeçarit pranimin e fajit, me qëllim përfitimin e uljes së masës së dënimit, por ai mësohet t’i ketë thënë avokatit se gjithçka është e sajuar dhe montuar nga persona që duan t’i zënë vendin e punës, duke e futur në burg.

Ernest Shimka, i komanduar në krye të Zyrës së Përmbarimit Vlorë prej tri javësh, është ndaluar mesditën e së martës. 28-vjeçari Shimka akuzohet se ka konsumuar veprën penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar në nenin 319/a të Kodit Penal.

Operacioni i koduar “Përmbaruesi”, një bashkëpunim midis bluve të Vlorës e njësisë Task Forcë pranë prokurorisë së rrethit, u organizua dy ditë më parë pas kallëzimit të bërë nga një qytetar. Ky i fundit ka pretenduar se Shimka i kishte kërkuar 1 milion lekë, me qëllim vënien në lëvizje të një vendimi gjyqësor për dëmshpërblim të qytetarit nga një kompani sigurimi, pas një aksidenti që djali i tij kishte pësuar dhe ku kishte humbur aftësitë normale të jetesës.

Policia, pasi ka kryer arrestimin në kushtet e flagrancës, ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasinë e parave prej 1 milion lekësh dhe dokumente të tjera që lidhen me çështjen në fjalë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›