E Diel, 1 Nëntor 2026

Vodhi kishën në Voskopojë, kapet 36-vjeçari nga Kamza

Korçë Dyshohet edhe për vjedhje të tjera në objekte kulti

Arrestohet nga Policia e Korçës një 36-vjeçar, i cili dyshohet se ka grabitur me thyerje një kishë në fshatin Voskopojë. Arben Spaho, 36 vjeç nga Kamza e Tiranës, është arrestuar si autori i vjedhjes së kishës së “Shën Mërisë” në fshatin Voskopojë, ngjarje kjo e ndodhur në datën 18 maj të këtij viti. Pas disa muajsh hetime, policia ka arritur të sigurojë provat e duhura se 36- vjeçari Spaho ka kryer vjedhjen e kishës së Shën Mërisë në Voskopojë dhe me një vendim të Prokurorisë së Rrethit ka bashkëpunuar me Policinë e Tiranës për arrestimin e tij. 36- vjeçari Spaho është dënuar edhe më parë për vjedhje, ndërkohë që, sipas policisë, ai dyshohet të ketë kryer edhe dhunime e grabitje të tjera të objekteve të kultit në rajonin e Korçës. Pas arrestimit të tij, policia do të kryejë verifikimet me shenjat e gishtërinjve dhe gjurmët e lëna në objektet e kultit që janë vjedhur për të dokumentuar plotësisht autorësinë e shumëfishtë të 36-vjeçarit Spaho. Ndërkaq, ka mbetur pa u zbuluar autori ose autorët e vjedhjes së përsëritur të kishës së “Shën Thanasit” në Voskopojë, ku janë grabitur vlera të konsiderueshme të trashëgimisë kulturore që ruheshin në këtë kishë të vjetër.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›