Nuk duronte varfërinë, vetëvaret në banjë 67-vjeçarja
Një grua 67-vjeçare nga Fieri, nënë e tre fëmijëve, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur. Sipas policisë, shkak i këtij vendimi tragjik mësohet se ka qenë gjendja depresive ku kishte rënë e moshuara, si pasojë e ekonomisë së dobët që gjatë gjithë jetës së saj nuk u përmirësua. Ka qenë ora 11.30 e së martës, kur është njoftuar salla operative e Komisariatit të Policisë Fier, se në një banesë në lagjen “Apolonia” është gjetur një grua e vdekur. Menjëherë drejt vendit të njoftuar kanë shkuar uniformat blu. Burimet zyrtare policore shprehen se Barie Beqiraj, 67 vjeçe, ka gjetur vdekjen si pasojë e vetëvarjes. Po sipas burimeve policore, konfirmohet se kufoma është gjetur nga bashkëshorti i viktimës. Ai është kthyer nga shëtitja, kur sapo ka hyrë në shtëpi e ka gjetur derën kryesore të banesës të kyçur. Ka nxjerrë çelësin me mendimin se edhe bashkëshortja e tij Baria kishte dalë. Pasi ka hyrë fillimisht në mjediset e ndenjes në shtëpi, i moshuari i është drejtuar banjës, ku ka gjetur të shoqen të vetëvarur. Tepër i tronditur ai ka humbur ndjenjat ndërsa dilte te dera kryesore e shtëpisë për të kërkuar ndihmë nga fqinjët. Fatmirësisht një prej fqinjëve ka qenë në korridorin e shkallëve dhe e ka ndihmuar të moshuarin, si dhe më pas ka njoftuar policinë. Efektivët e policisë kanë qenë ata që kanë shkëputur litarin me të cilin 67-vjeçarja Barie Beqiraj i kishte dhënë fund jetës, duke e lidhur litarin në mbajtësen e bojlerit. Sipas burimeve nga policia, konfirmohet se gruaja ka ndërruar jetë brenda pak minutash dhe nuk ka qenë e mundur t’i jepej ndihmë.
#