Aksidentet shkaktojnë dy të vdekur në Shkodër e Fier
Dy persona kanë gjetur vdekjen në aksidente rrugore dje në mbrëmje në Shkodër dhe Fier. Në të dyja rastet, policia e qarkullimit rrugor ka dalë në përfundimin se mungesa e sinjalistikës dhe ndriçimit në rrugë ka qenë shkak i përplasjeve të forta.
Shkodër
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 37-vjeçari ka ndodhur pasditen e djeshme, në aksin rrugor Shkodër-Bushat. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:30 në vendin e quajtur kthesa e Beltojës, 5 km pa hyrë në qytetin e Shkodrës. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, viktima ka qenë me një motor, të cilin e kishte marrë për dore, pasi i kishte mbaruar karburanti dhe ishte i shoqëruar me një tjetër person, duke ecur në drejtim të një pike karburanti që ndodhej pranë. Por, duke ecur në anë të rrugës, 37-vjeçari Petrit Muriqi është goditur për vdekje nga një makinë tip "Mercedes Benz" me targë TR6777M, që drejtohej nga 46- vjeçarja Majlinda Buza. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia, e cila ka shoqëruar në komisariatin e policisë, 46-vjeçaren Majlinda Buza, si dhe ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin luksoz me të cilin është shkaktuar aksidenti. Ndërkohë, personi tjetër që ndodhej me viktimën për fat të mirë nuk është përfshirë në aksident, pasi ndodhej pak metra larg vendit të ngjarjes. Viktima Petrit Muriqi ishte banor i fshatit Melgush, 2 km larg vendit ku ka ndodhur aksidenti dhe ishte babi i tre fëmijëve. Policia, që ka kryer veprimet e para hetimore ka dalë në përfundimin se shkaqet kryesore të aksidentit kanë qenë mungesa e ndriçimit rrugor dhe pakujdesia e drejtuesit të mjetit. Aksi rrugor Shkodër-Tiranë, ku përfshihen dhe segmente problematike si Fushë-Krujë-Tiranë, Fushë-Krujë-Lezhë, Lezhë-Shkodër dhe Bushat-Shkodër janë pjesë të superstradës mjaft të rrezikshme, ku ndodhin dhe aksidente më të mëdha në numër në shkallë republike. Një ndër shkaqet kryesore është se në këtë superstradë mungon krejtësisht ndriçimi, madje nuk ka as shtylla për vendosjen e dritave.
Fier
Një 42-vjeçar nga Rrethi i Fierit ka gjetur vdekjen në një aksident rrugor të ndodhur dje në mbrëmje. Burimet e policisë së qarkullimit rrugor, pasi kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe e kanë gjetur të vdekur 42-vjeçarin, e kanë transportuar atë drejt morgut të Spitalit Rajonal të Fierit, ndërkohë që nga këqyrja e vendit të ngjarjes mendohet që aksidenti të ketë ndodhur si shkak i një defekti të automjetit.
Rreth orës 18:30 minuta, automjeti tip "Renault" me targa FR2620A është parë të përplasej me një pishë të madhe, e cila ndodhej në anë të rrugës që të çon drejt plazhit të Pishporos. Automjeti drejtohej nga 42-vjeçari Estref Lera. Aksidenti ka ndodhur në rrugën Levan-Pishporo, në hyrje të fshatit Bishan, rreth 13 kilometra larg nga rruga nacionale Fier-Vlorë. Banorët e fshatit Bishan, pranë banesave të të cilëve ndodhi aksidenti, kanë treguar se vetëm zhurma e pazakontë e përplasjes ka bërë që ata të dalin nga shtëpitë e tyre dhe të shohin përplasjen tragjike. Sipas banorëve dhe sipas burimeve policore nga vendi i ngjarjes konfirmohet se automjeti ka pësuar dëmtime të shumta dhe drejtuesi i tij ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Menjëherë banorët kanë njoftuar uniformat blu dhe këta të fundit urgjencën e spitalit. Mjekët thanë se 42-vjeçari, banor i fshatit Pishporo, ka mbërritur pa asnjë shenjë jete në spital. Sipas burimeve nga policia e qarkullimit rrugor në Fier, e cila ka kryer ekspertizën në vendin e ngjarjes, mësohet se shkak i mundshëm i kësaj përplasjeje fatale ka qenë gjendja teknike e automjetit, si dhe terreni i vështirë dhe pa ndriçim.
42-vjeçari Estref Lera ishte murator pranë një firme ndërtimi dhe punonte në qytetin e Vlorës. Sipas policisë, ai po kthehej nga puna për në shtëpi. Ekspertiza mjekoligjore në trupin e tij ka nxjerrë që nuk kishte përmbajtje alkoolike, çka hedh poshtë mundësinë e humbjes së kontrollit të automjetit për shkak të gjendjes së dehur. Lera ishte babai i dy fëmijëve dhe kishte vite që punonte në ndërtim në Vlorë dhe përshkonte të njëjtën rrugë nga fshati Pishporo në Vlorë.