E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesdheu poezia e liqenit të dritës

Mesdheu është një perlë. Si një diamant
ai ka dalë nga thellësitë e historisë duke
kaluar shumë prova dhe vështirësi. Është
një hapësirë gjeografike që ka një rëndësi të veçantë
në historinë e njerëzimit: një det me brigjet e tij,
me vende dhe popuj të ndryshëm; një seri shabllonesh
që përdoren pikërisht nga industria turistike.
Gjithashtu, është edhe një vend komod bisedimesh
që u lejon organizuesve të justifikojnë subvencionet
nga të cilat përfitojnë. Ato që
thuhen në këto takime - sigurisht jo
gjithmonë, por në disa raste - i merr
era. Tashmë është bërë rrugë, një
recetë e mirë për të folur pa thënë
asgjë, ose madje të thuhen fraza
të tipit "Mesdheu, liqeni i paqes"
duke e ditur mirë se në disa vende
ka plasur lufta civile madje edhe
konflikte ndërmjet dy vendeve. Por
ky liqen që nuk është një liqen, për
aq të qeta sa mund të jenë ujërat,
është një enigmë, një mister që të
magjeps dhe intrigon. Mesdheu
më shumë është një mënyrë të qenuri
sesa një mënyrë jetese. Për ta
kuptuar më mirë mjafton të imagjinojmë
një aziatik ose një nordik që
është i detyruar të punojë në Napoli ose në Bejrut:
do ta kishin tepër të vështirë për mos të thënë të
pamundur, thjesht le të krahasojmë mënyrën e
të menduarit me mesdhetarët, mbi të gjitha konceptimin
e tyre për kohën, mënyra se si e harxhojnë
atë. Këtu koncepti i kohës, kaq preciz dhe
gjithmonë i matur, është hijshëm dhe ndonjëherë
edhe poetik, me kuptimin që pikat referuese të të
qenurit humbasin ose çorientohen, duke përzier
nevojat teknike dhe administrative me dashurinë
dhe interesat familjare. Është një çështje gramatike
dhe sintakse, që në Mesdhe nuk janë të njëjta
me të tjerat. Mund të flitet e njëjta gjuhë, të kuptohesh
duke kaluar nga anglishtja në spanjisht, por
mënyra e të sjellit, gjestet e simbolet shmangen
papritur ndaj strukturës së gjuhës mëmë.
* * *
Në botën arabe, Mesdheu quhet "deti i bardhë në
mes". Në fakt, nuk është i bardhë, as në mes nuk qëndron.
Maksimumi, mund të jetë në qendër të hartës
botërore: gjithçka varet nga vendi në të cilin ndodhesh,
andej nga po e shikon. I bardhë, sepse bluja e
tij është aq e shndritshme saqë mund të krahasohet
me dritën hënore, kur hëna është e plotë. Bota arabe
nuk është se ka bërë famë me tradita detare edhe pse
shkëmbimet e saj tregtare janë bërë gjithmonë ndërmjet
Mesdheut. Por sot liderët politikë e cilësojnë si
të rrallë. Ndoshta, sepse i përkasin pjesës më të varfër
dhe më të mbipopulluar, që shënon edhe ndryshimin
me vendet e Veriut. Një zonë që do të donte të gëzonte
të njëjtat pasuri që gëzojnë vendet e tjera. Drama
është se Mesdheu është i shumëfishtë dhe jo i ekuilibruar,
si në planin ekonomik po ashtu edhe në atë
demografik. Pjesa veriore është e pasur, por jo shumë
e populluar; dhe ka nevojë për punën e njerëzve në
skajin tjetër, më pak të zhvilluar, por tepër të mbipopulluar
me njerëz që ëndërrojnë të emigrojnë, duke
lënë mbrapa varfërinë. Kjo pabarazi është normale.
Shpresohej se Evropa do të ristabilizonte ekuilibrin,
duke e bërë Mesdheun një entitet harmonik, të fortë
dhe të bukur. Por Evropa preferoi t‘i drejtohej Lindjes
dhe duke integruar shpejt e shpejtë disa vende nga ajo
zonë. Por e harroi Jugun, i kthehu krahët dhe njerëzit
e saj tashmë shkojnë drejt saj në mënyra ilegale
ose klandestine. Emigrimi mbetet diçka konstante e
Mesdheut. Njëherë e një kohë ishin borgjezët, spanjollët
dhe italianët ata që linin vendin e tyre për të kërkuar
punë dhe një jetë më të mirë në pjesën tjetër të
Evropës; ndërsa sot vetë këto vende janë kthyer prej
kohësh në tokë emigracioni. Në vitin 2004 në Spanjë
numëroheshin 375767 emigrantë marokenë të rregullt.
Më stabilizimin e disa qindra mijërave emigrantë
pa dokumente, Spanja dhe Italia kanë dashur të përmirësojnë
një situatë në të cilën puna në të zezë ishte
komode për shumë punëdhënës, por kërcënonte
statusin e punëtorëve dhe privonte shtetin nga mos
pagimi i taksave dhe siguracioneve për këta klandestinë,
të cilët legjitimisht nuk ekzistonin. Një gjest i
tillë u kritikua nga Franca dhe madje një lider i djathtë
i fushatës për Kushtetutën Evropiane po në atë
vit është shprehur se "marokenët dhe shqiptarët që do
të stabilizohen me dokumente, do të ngrenë nivelin e
papunësisë në këto vende".
* * *
Mesdheu njëkohësisht është i ndryshëm dhe i barabartë,
kompleks dhe irracional, tërheqës dhe kontradiktor.
Por si mund të bëhet një entitet i bashkuar
dhe i fortë, një lloj blloku ku pasuritë të ndahen kundrejt
një ekuilibri të caktuar dhe sigurisht në mënyrë
të drejtë? Që demografia të zhvillohet në mënyrë harmonike
dhe mos të dëgjohet më për dhunën? Evropa
duhet të ishte drejtuar drejt Mesdheut që në fillimet
e saj, duke marrë parasysh dobësitë dhe forcën e saj.
Kurse tashmë shumë vende rrinë me shpresa për t‘u
integruar, bëjnë përpjekje, bëjnë politika të ndryshme,
madje edhe e përdorin integrimin në Evropë për të arritur
qëllimet e tyre politike. Por gjithsesi, për të realizuar
diçka të tillë duhet të konvertojmë "besim" mesdhetar
atë të disa vendeve si: Gjermania, Holanda,
Belgjika, vetë Britania e Madhe. Ky është problemi i
vërtetë: një problem që nuk është as politik e as ekonomik,
por kulturor. Kultura mesdhetare është rritur
ndërmjet takimesh, shkëmbimesh, pasionesh, përzierje
racash dhe ambiciesh të forta. Arabët falënderohen
për përkthimin e Aristotelit në arabisht dhe latinisht.
Dhe kanë qenë udhëtar arab si Ibn Batouta, ose
italian si Marko Polo që i kanë shpurë botës shpirtin e
vërtetë të këtij Mesdheu. Udhëtimet, tregtitë, çështjet
e luftës apo të paqes, dasmat dhe traditat, simbiozat e
mëparshme kulturore, në muzikë, në pikturë ose në
artin e të gatuarit: ja pra këto janë disa faktorë besnikë
që e identifikojnë Mesdheun e dijshëm dhe të sotëm.
* * *
Ndoshta do të jetë letërsia dhe poezia ato që do të
bashkojnë Mesdheun, duke i dhënë një zë të fortë që
mund të arrij të shkojë larg dhe t‘i flasë botës. Me kulturën
dhe me poezinë. Mesdheu do të rezistojë - gjithmonë
bëhet fjalë për një rezistencë ndaj globalizimit.
Nuk mund të besojmë më te politikanët, më shumë të
shqetësuar për karrierën e tyre personale sesa për të
ardhmen e Mesdheut. Rezistencën e bëjnë vizionarët,
ata që mbajnë në zemër këtë dritë mesdhetare dhe e
përhapin atë, e këndojnë përtej kohërave. Poetët na
flasin për kopshte që nuk kanë më një vend se ku të
lulëzojnë dhe na sjellin ndërmend "frutat, në poezi dhe
në det".
* * *
Ashtu siç ka thënë poeti francez,
Rene Char, "zogjtë nuk kanë zemër për
të kënduar në një kaçubë pyetjesh".
Pellgu mesdhetar e sidomos pjesa e
saj më e varfër, Jugu, ngjan me një pyll
pyetjesh, problemesh, një pyll plot me
fate të harruara. Poetët janë analistët
më të mirë të një situate strukturore.
Ata shohin larg dhe në thellësi. Prandaj
duhet të konsultohemi me ta - pra t‘i
lexojmë veprat e tyre nëse duam që kjo
pjesë e botës të bëhet një vend në të
cilin ku mund të jetojnë vlerat e njerëzimit.
Por do të ishte e vështirë t‘u kërkoje
politikanëve që marrin parasysh
edhe zërin e poetëve. Por pa u çorientuar shumë është
fare e thjeshtë nëse kujtojmë Platonin ose Niçen, shumë
më përpara kësaj epoke modern dhe të dhunshme, kanë
thënë se sa shumë kanë nevojë politikanët për filozofinë
dhe poezinë. Jetojmë në një botë dypolare, ku për momentin
dominon aksi anglosakson; dhe bota aziatike
është duke avancuar së shumti. Si njëri edhe tjetri kanë
të përbashkët diçka: për Mesdheun as që nuk e dinë se
ku ndodhet. Për disa është një klub pushimesh, për disa
të tjerë një supermarket që shet produkte të kultivuara
mijëra kilometra larg. Një arsye kjo më shumë që mesdhetarët
të ndërgjegjësohen për atë që po ndodh, të
ndërgjegjësohen për mundësinë e së qënurit ndryshe,
për interesin e tyre për të forcuar lidhjet reciproke politike,
ekonomike dhe kulturore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›