Reforma, të gjithë gjyqtarët të jenë anëtarë të KGJK-së
Një nga çështjet e funksionimit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, që ka ngjallur diskutim gjatë këtyre dy viteve, ka qenë ajo e përfaqësimit të gjyqtarëve në veprimtarinë e Konferencës. Nga masa e përgjithshme e gjyqtarëve ka pasur reagime ndaj kësaj gjetjeje ligjore, duke u pretenduar që të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë duhet të jenë anëtarë të KGJK-së, duke bërë të mundur që Konferenca të realizojë misionin e vet si organ përfaqësues i të gjithë gjyqtarëve. Kjo, duke hequr pjesëmarrjen në Konferencën Gjyqësore nëpërmjet përfaqësimit dhe atë për shkak të funksionit. "Kjo duhet parë si një interesim dhe përgjegjshmëri e gjyqtarëve shqiptarë për t‘u angazhuar në veprimtarinë e organit që duhet t‘i përkasin", u shprehën drejtues të KGJK-së. Gjatë Konferencës Gjyqësore Kombëtare, e cila zhvilloi punimet e saj para tri ditësh në Tiranë, ata sollën në vëmendje se kjo çështje u ngrit sërish në Konferencat Rajonale të këtij viti, ndërsa theksuan se "në kuadër të reformimit kemi arritur në përfundimin se ligji "Për Organizimin dhe Funksionimin e KGJK" duhet ndryshuar, duke bërë të mundur që të jenë anëtarë të KGJK-së njëkohësisht të gjithë gjyqtarët e vendit". "Kjo në funksion të realizimit të qëllimit për të cilin është krijuar, duke bërë të mundur që të gjithë gjyqtarët të votojnë për përfaqësuesit e tyre në KLD e që pjesa më e madhe e tyre të angazhohet në aktivitetet e Komisioneve të Konferencës", vunë në dukje drejtues të KGJK-së, duke shpallur kështu një ndër prioritetet për konsolidimin e një pushteti gjyqësor të pavarur e me integritet të lartë.