Grinden për pasagjerët, në pranga taksisti
Një grindje për pasagjerët mes dy taksistëve ka përfunduar me kanosje për jetën. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme midis dy taksistëve që punojnë në linjën Berat-Kakavijë. Grindja ka nisur në doganën e Kakavijës dhe ka përfunduar në fshatin Starovë të Rrethit Berat. Burime nga komisariati i policisë bëjnë me dije se në mesnatën e së shtunës është arrestuar në flagrancë Selim Lazaj, banor i Mallakastrës. Arrestimi i Lazajt 35-vjeçar është kryer në flagrancë pas njoftimit se ndodhej në banesën e një fshatari të Starovës, duke i kërkuar nëpërmjet kërcënimit një shumë prej 50 mijë lekësh. Po sipas këtyre burimeve, dy taksistët, pasi kanë udhëtuar me orë të tëra, kanë mbërritur rreth mesnatës në fshatin Starovë. Sapo kanë zbritur pasagjerët, ata kanë nisur të debatojnë për sa i përket shumës së lekëve të fituara nga transportimi i tyre. Agjentet e policisë, të njoftuar nga banorë të fshatit kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë arritur të arrestojnë 35-vjeçarin, i cili nëpërmjet kërcënimit me jetën i kërkonte kolegut 50 mijë lekë. Pas shoqërimit në komisariat të të dy taksistëve, ka rezultuar se grindja kishte nisur në doganën e Kakavijës kur dy taksistët kishin shkëmbyer pasagjerët midis tyre.