E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athinë, pranga ish-policit të Sarandës

Një ish-polic i Komisariatit të Sarandës ka rënë në pranga nga policia greke, pasi gjykata e kishte dënuar atë me 15 vjet heqje lirie për akuzën e rrëmbimit. Në vitin 1997, Gëzim Elmazi, 34 vjeç, kishte kryer një rrëmbim, duke mbajtur në një tunel një person për më shumë se 15 ditë. Këtij personi i kishte shkaktuar plagë të rënda. Në vitin 2002, ish-polici Elmazi ishte larguar nga burgu i Vaqarrit, duke marrë një leje ditore për në shtëpinë e tij, por nuk është kthyer më, duke u larguar drejt Greqisë.

Në qendër të Athinës, ai kishte mundur të hapte një biznes të tij, derisa gjatë një kontrolli rutinë, ka rënë në prangat e policisë. Policia greke vuri në dijeni se mëngjesin e së dielës ka arrestuar një person të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Sipas të dhënave nga policia greke, 34-vjeçari Elmazi ishte shpallur në kërkim lidhur me një rrëmbim të kryer në vitin 1997 në Sarandë. Në atë kohë, 34-vjeçari shërbente në detyrën e policit në Komisariatin e Sarandës.

Burimet e policisë greke thanë se Gëzim Elmazi, në bashkëpunim me një kushëririn e tij, gjatë trazirave të vitit 1997, kishte rrëmbyer një shtetas me iniciale B. V., nga fshati Shëndëlli, 20 km larg qytetit të Sarandës. Në vazhdim, dy kushërinjtë e kishin mbajtur pengun për disa ditë të mbyllur në një bunker, duke i shkaktuar plagosje të rëndë. Lidhur me këtë ngjarje, drejtësia shqiptare e kishte shpallur fajtor pak kohë më vonë ish-policin, duke e dënuar me 15 vjet heqje lirie, dënim të cilin e kryente në burgun e Vaqarrit në Tiranë.

Në vitin 2002, në rrethana ende të pazbardhura,34-vjeçari mundi të arratiset nga burgu, për t‘iu drejtuar Greqisë, vend në të cilin ka mundur të krijojë një jetë të re, larg telasheve me ligjin. Madje, ai mundi të krijojë edhe një biznes në qendër të kryeqytetit helen, Athinë, ku u fsheh për disa vite. Arrestimi i tij u krye rastësisht gjatë një kontrolli rutinë të policisë turistike greke, e cila konstatoi se dy prej punonjësve të lokalit të tij, nuk kishin leje pune, çka parashikon ndalimin për 24 orë të punëdhënësit dhe dënimin e tij me një gjobë 3 mijë euro. Pas verifikimit të shenjave të gishtave u bë i mundur identiteti i saktë i pronarit të lokalit, i cili fshihej me emër të rremë. Fillimisht, 34-vjeçari shqiptar, tentoi të justifikohej, por policia kriminale i komunikoi atij urdhrin e arrestit. Ai dyshohet se është një ndër eksponentët kryesorë të ngjarjeve të vitit 1997 në Sarandë. Gjatë operacionit të zhvilluar pak kohë më parë për arrestimin e personave që krijuan trazirat e vitit ‘97, figuronte edhe emri i të ndaluarit të djeshëm, por policia nuk ndërmori operacion për kapjen e tij, pasi ishte informuar më parë për largimin drejt Greqisë.

Burgu

Ja si u arratis

ish-polici Elmazi

Ish-polici i arrestuar dje në Athinë kishte mundur të arratisej nga burgu pas lejes njëditore që kishte marrë nga autoritetet e drejtësisë shqiptare. Ai vuante dënimin në burgun e Vaqarrit deri në vitin 2002. Nga kjo leje që iu dha, Elmazi përfitoi, duke kaluar klandestin në Greqi. Në vendin fqinj, ai u pajis me pasaportë të rreme dhe nisi të merrej me biznes, megjithëse Interpoli e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas të dhënave zyrtare, Elmazi rezulton se ka qenë edhe në grupin e personave që kanë kryer vrasjen e policëve në Qafën e Gjashtës në Sarandë. Elmazi do të presë tashmë ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, nëse kërkesa e Interpol-Tiranës pranohet nga Gjykata e Athinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›