Arrestohet i kërkuari në Kakavijë, ishte dënuar për grabitje me armë
Policia kufitare ka mundur të vendosë në pranga një të shumëkërkuar shqiptar, teksa depërtohej nga Greqia, pasi kishte kaluar kufirin me dokumente false. Roland Pollo është kapur falë sistemit TIMS, kur fytyra e tij ka rezultuar si e skeduar nga policia. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës bënë të ditur se arrestimi i tij u realizua të shtunën, ku i kërkuari po kalonte kufirin nga Greqia në Shqipëri me një grup emigrantësh të tjerë. Sipas të dhënave zyrtare, i shumëkërkuari, që ishte dënuar në mungesë për grabitje më armë, ka rënë nën pranga rreth orës 16:20 të së shtunës në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në mes të një grupi emigrantësh klandestin të kthyer nga policia greke në këtë pikë kalimi. Në mes të grupit me 28 shtetas të ashtuquajtur nga policia si deportivë, të kapur në thellësi të territorit grek, që kishin disa vjet qëndrimi në shtetin fqinj dhe ishin të pa pajisur me dokumente. Pas verifikimeve të bëra nëpërmjet sistemit të kontrollit TIMS, rezultoi se njëri prej këtyre shtetasve ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Konkretisht, shtetasi Roland Ago Pollo, 27 vjeç, lindur në fshatin Lazarat dhe banues në Ksamil të Rrethit Sarandë, i shpallur si person i shumëkërkuar nga ana e Komisariatit të Policisë Përmet, me shkresën Nr. 12, datë 29 shtator 2001. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës bënë të ditur se ky person është dënuar me 12 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë Përmet, me vendim nr. 4, datë 24 janar 2005, për veprën penale të "Vjedhjes me armë në bashkëpunim". Vendimi i dënimit të tij është rikonfirmuar në të njëjtën masë dënimi edhe pas apelimit, nga Gjykata e Apelit Gjirokastër. Kjo e fundit, me vendim nr. 79, datë 11 korrik 2005, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet. Sipas të dhënave të Policisë Kriminale të Komisariatit të Përmetit, ky person, më datën 26 shtator 2001, në bashkëpunim me shtetasit Sokol e Orgest Maliqi, të cilët aktualisht janë duke vuajtur dënimin, nga fshati Ogren i Përmetit, kanë vjedhur me armë në vendin e quajtur "Çezma e Lupekës", në fshatin Ogren të Rrethit Përmet. Objekti i vjedhjes ishin 3 banorë të këtij fshati, duke u zënë pritë me armë. Këta persona u kanë vjedhur rreth 19 mijë lekë të reja dhe sende të tjera të dëmtuarve dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Sipas policisë, disa orë pas grabitjes së realizuar nga personat e lartpërmendur është arrestuar Sokol Maliqi dhe një muaj më vonë shtetasi i shpallur në kërkim Orgest Maliqi. Ndërsa Roland Pollo ishte larguar dhe shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pas arrestimit në Kakavijë të të shumëkërkuarit është njoftuar Komisariati i Policisë Përmet për të bërë ekzekutimin e urdhrit të prokurorit për këtë shtetas të dënuar me 12 vjet burg. Ai i është dhënë në dorëzim Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila do të dërgojë të arrestuarin në qeli për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare. I arrestuari do të akuzohet edhe për kalim të paligjshëm të kufirit.