E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet shkaktojnë edhe pesë të plagosur

Gjatë 24 orëve të fundit, policia rrugore e kryeqytetit ka regjistruar vetëm dy aksidente, por me pesë të plagosur. Aksidenti më i rëndë ka ndodhur në orët e vona të natës, ku janë plagosur rëndë katër persona, ndër të cilët dy shtetas grekë dhe motra shqiptare. Sipas të dhënave policore, specialistë të Hetimit të Aksidenteve, për këtë ngjarje kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Enis Sadedin Yayla, 30 vjeç, lindur në Stamboll dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye, pasi rreth orës 23:45 të së mërkurës, në rrugën "Myslym Shyri", në afërsi të degëzimit të tregut çam, duke drejtuar automjetin tip BMË, me targa TR 9500 P, ka devijuar rrugën nga një bllok betoni. Më pas është përplasur me një pemë. Si pasojë janë aksidentuar pasagjerët e mjetit, që janë motrat Elisa dhe Olta Mjekra, përkatësisht 25 dhe 21 vjeçe, si dhe grekët Janis Karathanasis, 27 vjeç dhe Dhionis Marinos, 37 vjeç. Të gjithë të dëmtuarit u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor i përbërë nga ekspertë, u kryen të gjitha veprimet hetimore e procedurale, nga ku rezultoi se drejtuesi i mjetit ka qenë në gjendje të dehur. Ndërsa aksidenti i dytë ka ndodhur në autostradë. Sipas të dhënave policore, rreth orës 20:45, në autostradën Tiranë-Durrës, pikërisht pranë servil "Opel Noshi", një mjet i paidentifikuar ka aksidentuar këmbësorin Arif Roçi, 73 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se po punon për identifikimin e mjetit dhe kapjen e autorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›