E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia rrugore, broshura për drejtuesit e mjeteve

Duket se Policia e Tiranës nuk do të ndalojë në luftën e saj deri në minimizimin e aksidenteve rrugore. Veç masave të ashpra për drejtuesit e mjeteve, që shkelin rregullat e qarkullimit, tashmë policia ka nisur edhe një fushatë sensibilizuese, duke informuar gjithë përdoruesit e rrugës për sjelljen e tyre të bazuar në ligj.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë bëri të ditur se dje ka organizuar një fushatë sensibilizimi me synim uljen e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugë. Kështu, drejtues të Policisë së Tiranës, shërbimet e Policisë Rrugore, Patrulla e Përgjithshme u angazhuan duke përcjellë mesazhe dhe fletëpalosje sensibilizuese në Rrugën e Kavajës, në kryqëzimin e Shkollës Teknologjike e shtrirë deri në Unazën e Re. Kjo fushatë sensibilizuese do të vazhdojë edhe në të ardhmen, përkrah masave të marra për ndëshkimin e të gjithë kundërvajtësve në fushën e qarkullimit rrugor. Drejtuesve të mjeteve dhe përdoruesve të rrugës, iu shpërndanë fletëpalosje lidhur me shpejtësinë, drejtimin e mjetit nën ndikimin e alkoolit dhe parkimet e gabuara. Me anë të tyre, Policia e Tiranës u ka kërkuar bashkëpunim për respektimin e dispozitave në fushën e qarkullimit rrugor.
Gjithashtu, Policia e Tiranës po ndërmerr masa lidhur me shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative. Vetëm dje, në Tiranë, janë pezulluar 46 leje qarkullimi të mjetit. Në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e policisë janë konstatuar dhe vendosur 1751 masa administrative, me vlerë 1.750.530 lekë. Gjithashtu janë pezulluar 19 leje drejtimi. Duke marrë shkas nga rritja e numrit të aksidenteve rrugore, Policia e Tiranës ka bërë edhe një herë thirrje për të gjithë përdoruesit e rrugës dhe kërkon mbështetjen e opinionit publik, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.
Madje, dje, punonjëse të policisë rrugore, apo të patrullës së përgjithshme kanë zhvilluar aktivitetin sensibilizues, sidomos me femrat që drejtojnë mjete. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për shoferët. Punonjësit e policisë kanë pasur në dispozicion dy broshura. Në njërën prej tyre kërkohej mirëkuptimi, ndërsa në tjetrën shpjegoheshin shkaqet kryesore të aksidenteve. "Në rrugët për përdorim publik dhe veçanërisht në qytetin e Tiranës konstatohet si fenomen negativ ndalimi, qëndrimi dhe pushimi i gabuar i mjeteve, i cili përbën pengesë për lirshmërinë në qarkullimin rrugor dhe është shkak për aksidente", sqaronte policia në njërën nga broshurat e saj. Më tej, shpjegoheshin dispozitat e Kodit Rrugor, sipas neneve 155, 156 dhe 157, që flasin përkatësisht për ndalimin, qëndrimin, pushimin e mjeteve dhe bllokimin e tyre. Ndërsa në broshurën tjetër shpjegohej se gjatë vitit 2009, në Qarkun e Tiranës, shkaqet kryesore të ndodhjes së aksidenteve kanë qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe përdorimi i pijeve alkoolike, duke analizuar edhe dispozitat për këto shkelje sipas Kodit Rrugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›