Vetëhelmohet me fostoksinë, njësoj si kishte bërë e shoqja
Një 60-vjeçar nga rrethi i Lushnjës i ka dhënë fund jetës duke pirë dy tableta lënde helmuese fostoksinë, njësoj siç kishte bërë bashkëshortja e tij një vit më parë. Burri i ve, banor i fshatit Bishtqethëm në Lushnjë, është dërguar me urgjencë nga familjarët e tij pranë spitalit civil të qytetit, por nuk ka mundur t‘i shpëtojë vdekjes. Mjekët shprehen se lënda toksike ka qenë e një sasie të madhe dhe ka dëmtuar brenda një kohe të shkurtër një pjesë të mirë të organeve të aparatit tretës. Sipas mjekëve të spitalit të Lushnjës, konfirmohet se burri ka shkuar në urgjencë thuajse pa shenja jete dhe me gjithë ndërhyrjen e bluzave të bardha nuk ka mundur t‘i shpëtojë vdekjes. Ai ka ndërruar jetë vetëm pak minuta pas futjes në sallën e reanimacionit. Sipas dëshmive të djemve të viktimës dhënë për grupin hetimor dhe për policinë lokale, bëhet e ditur se 60-vjeçari kishte rënë në depresion prej një viti. Shkak për këtë ka qenë humbja e bashkëshortes së tij, e cila vetëm një vit më parë kishte ndërruar jetë në të njëjtën mënyrë. Ajo i kishte dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar me fostoksinë, gjë që e ka bërë bashkëshortin e saj të bjerë në depresion. Arqile Salla jetonte me familjet e dy djemve të tij, por shpeshherë kishte shfaqur dëshirën për t‘u vetëvrarë. Për këtë arsye ai mbikëqyrej nga familjarët. Mbrëmjen e së mërkurës, 60-vjeçari nuk kishte ngrënë darkë dhe ishte vendosur të mbyllej në dhomën e tij të gjumit, duke lënë dyshime te djemtë. Këta të fundit, kur kanë shkuar afër mesnatës në dhomën e babait e kanë gjetur pa ndjenja dhe e kanë dërguar menjëherë në spitalin e Lushnjës, por pa rezultat.